E pabesueshme, por fakt: Kalivaçi i Tepelenës dhe vetë Tepelena ndodhen në “takën e çizmes” italiane. Këtë gabim të papërfytyrueshëm gjeografik e ndesh në portalin e një instituti shkencor të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Sipas portalit, “studimet Sizmologjike në Shqipëri realizohen nga Departamenti i Sizmologjisë, i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, i cili është pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës. Një nga detyrat kryesore të këtij departamenti është informimi në kohë reale i opinionit publik dhe organizmave shtetërore në rastet kur ndodhin tërmete të fortë në vend”.

Pikërisht, Departamenti i Sizmologjisë ka informuar, në shqip dhe anglisht, se më 4 korrik 2019, ora 13:43:05, kanë ndodhur lëkundje tërmeti me M=3.1. Dhe jep vendndodhjen: 2.8 km në JP të Kalivaçit, Tepelenë, në koordinatat 40.39° N, 17.79° E dhe thellësi 28.4 km.

Por, kur klikon etiketën në hartë, del se Kalivaçi dhe Tepelena ndodhen në Itali, në jug të gadishullit, midis Leçes (Lecce) dhe Tarantos.

Nuk është hera e parë që vërehen neglizhenca në lokalizimin gjeografik të lëkundjeve tektonike.

Th.M.