Ky vit i ri akademik e gjen Universitetin e Durrësit me 15 mijë studentë, ndërkohë që edhe gjatë semestrit të parë studentët do të vijojnë sërish të marrin leksione në shkollat e mesme të qytetit të Durrësit. Godina e parë e kompleksit Universitar pritet të përfundojë në fund të vitit. Ajo do të bëjë të mundur që aty të zhvendosen studentët e Fakultetit të Ekonomisë.
“Rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve nga viti në vit, nuk është pasqyruar në shtimin dhe zgjerimin e ambienteve. Gjatë këtij semestri të parë, studentët do të marrin leksione në 4 shkolla të mesme të qytetit gjatë orëve të pasdites”,- deklaroi rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”,- Mithat Mema. Sallat në godinën universitare nuk i përgjigjen numrit të madh të studentëve , të cilët për këtë vit arrijnë numrin dhe kapacitet maksimale. “Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale, tri shkolla të mesme, 2 pranë stadiumit dhe një në Shkozet do të jenë në shërbim të tri fakulteteve, pasi të ketë përfunduar mësimi në gjimnaze.
Kërkesa për studime në Durrës është e lartë dhe ne do t’u përgjigjemi studentëve tanë, pavarësisht se mungojnë hapësirat e nevojshme. Godina e re do të vihet në funksion vetëm në fund të këtij viti”,- pohoi Mema. Mungesa e ambienteve të përshtatshme për mbajtjen e leksioneve dhe seminareve në Universitetin e Durrësit do të marrë zgjidhje vetëm pas ndërtimit të Kampusit Universitar. Investimi që po kryhet në zonën e Spitallës do të krijojë hapësirat e nevojshme për funksionimin normal të universitetit si dhe do t’u japë fund njëherë e mirë sorrollatjeve të studentëve të degëve të ndryshme. Në të njëjtën kohë, krahas investimit në insfrastrukturë Universiteti i Durrësit edhe këtë vit do të vazhdojë të hapë degë të reja krahas atyre ekzistuese.
Zoti Mema, jemi në prag të nisjes së vitit të Ri akademik. Çfarë risish do të ketë këtë vit? Janë hapur degë të reja? Sa do të jetë numri i studentëve në Universitetin e Durrësit?
Po, tashmë jemi në prag të fillimit të vitit të ri akademik dhe jemi në përgatitjet e fundit për ta filluar atë sa më mirë. Ky fillim viti, që përkon dhe me 100 vjetorin e Pavarësisë, e gjen Universitetin “Aleksandër Moisiu” të kompletuar nga pikëpamja e cikleve të studimit. Tashmë në universitet funksionojnë më shumë se 45 programe studimi të ciklit të parë, 32 programe studimi të ciklit të dytë (Master Profesional dhe Master Shkencor) dhe studimet e doktoraturës. Numri i studentëve që do të studiojnë në auditoret e Universitetit i kalon të 15.000 (së bashku me Filialin e Peshkopisë).
Cilat janë degët e reja?
Që nga momenti i parë në objektiv i stafit akademik ka qenë perspektiva e studentëve pas përfundimit të studimeve, pra tregu i punës për të cilët ato përgatiten. Nisur nga ky fakt do të përmendja dy degët, të cilat hapen për herë të parë këtë vit. Ato janë njëra në fushën e IT Multimedias dhe tjetra ajo e Televizionit Dixhital. Një risi këtë vit akademik është hapja e programeve të studimit Master Profesional dhe Master Shkencor në fushën e sigurimeve, në fushat e mësuesisë, në gjuhët shqipe dhe angleze, në fushën e drejtësisë, në fushën e shkencave politike, në fushën e shkencave kompjuterike dhe në infermieri. Ndërsa në sistemin me kohë të pjesshme nuk do të ketë ndonjë ndryshim këtë vit akademik.
Dy degë do të hapen për herë të parë këtë vit, ajo e IT Multimedias dhe e Televizionit Dixhital. Një risi këtë vit akademik është hapja e programeve të studimit Master Profesional dhe Master Shkencor në fushën e sigurimeve, në fushat e mësuesisë, në gjuhët shqipe dhe angleze, në fushën e drejtësisë, në fushën e shkencave politike, në fushën e shkencave kompjuterike dhe në infermieri
Universitetiti i Durrësit ka patur që prej themelimit të tij problem me gjetjen e ambienteve për mbajtjen e leksioneve e seminareve. Si do të organizohet këtë vit të ri akademik studimi i tyre sipas fakulteteve?
Pa dyshim që ky është problemi më i madh që ne kemi pasur dhe kemi. Edhe semestrin e parë të këtij viti akademik ne do të vazhdojmë të përdorim ambjentet e shkollave të mesme.
Zoti Mema me fonde të qeverisë Shqiptare është duke u ndërtuar një godinë e re në vendin e përcaktuar për ngritjen e kampusit universitar? Kur do të jetë gati dhe studentët e cilit fakultetet do të ndjekin studimet aty?
Punimet e filluara para 10 muajsh janë në një fazë mjaft të avancuar, para afateve të përcaktuara në kontratë. Godina do të jetë gati për të pritur studentët në semestrin e dytë të këtij viti akademik. Janë marrë masat edhe për mobilimin e plotë të saj. Pra në semestrin e dytë infrastruktura e universitetit dyfishohet, duke përmirësuar ndjeshëm situatën. Gjithashtu ju vë në dijeni se Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve ka miratuar ndërtimin e godinës së dytë në Kampusin e ri Universitar.
Pjesa më e madhe e pedagogëve tuaj janë me kontrata një vjeçare. Pse ndodh një praktikë e tillë? A nuk është më e domosdoshme që pedagogët të kenë jetëgjatësi në mësimdhënie?
Unë do te thoja se nuk është e vërtetë se shumica e pedagogëve janë me kontratë një vjeçare. Ato përbëjnë më pak se 25 % te numrit të përgjithshëm të stafit akademik. Është plotësisht e vërtetë që për çdo vit akademik ne hapim konkurs për pranimin e stafit akademik me kohë të plotë apo te pjesshme, nisur nga fakti i rritjes së numrit të stafit akademik të ndodhur vit pas viti.
Llojet dhe afatet e kontratave janë të përcaktuara në bazën ligjore dhe nënligjore në fuqi, e cila përcakton dhe afatet e kontratave sipas kualifikimit të pedagogëve. Në universitet, ne jemi përpjekur të tërheqim kandidatët me të mirë të cilët janë paraqitur duke ju dhënë përparësi studimeve dhe eksperiencave jashtë vendit.
15 mijë studentë pritet të ndjekin studimet këtë vit akademik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës
1 godinë e re do të hapet për studentët në fund të këtij viti duke lehtësuar disi mungesën e auditoreve dhe laboratorëve
2 degë të reja do të hapen këtë vit, ndërkohë që do të ketë Master Profesional dhe Shkencor në shumë degë
Dhe besoj se stafi akademik i universitetit është një staf mjaft i përgatitur dhe ambicioz dhe një karakteristikë tjetër që mbase justifikon tonet mosbesuese të pyetjes suaj është mosha relativisht e re e stafit akademik. Pa dyshim që eksperienca është nje element shumë i rëndësishëm, por unë mendoj se vitaliteti dhe ambicja e stafit tonë akademik, e kombinuar me eksperiencat perëndimore të jetuara qoftë dhe si student janë një garanci për cilësinë e stafit tonë akademik.
Mbi çfarë kriteresh bazohet konkursi për pranimin e pedagogëve të rinj?
Kriteret mbi të cilat bazohen konkurset e pranimit të stafit akademik janë të përcaktuara në statutin dhe rregulloren e universitetit. Para se gjithash garantohet transparencë dhe barazi për të gjithë konkuruesit. Vlerësimi i kandidaturave bazohet në dy komponentë, vlerësimi i dokumentacionit të paraqitur si dhe intervista. Në të gjitha rastet konkurentëve u garantohet transparenca dhe e drejta për të ankimuar vlerësimin.
Historiku i Universitetit
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është një institucion publik i arsimit të lartë i krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Nr. 801, datë 20.12.2005 “Për hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës”. Për herë të parë universiteti hapi dyert për studentët në vitin akademik 2006-2007 ku në bankat e tij filluan studimet universitare rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Fillimisht Universiteti “Aleksandër Moisiu” u hap me tri njësi kryesore nga të cilat dy fakultete (Fakulteti i Ekonomisë dhe Adminitrimit dhe Fakulteti i Edukimit) dhe një Shkollë e Lartë Profesionale, e cila ngjason institucionalisht me Community College në vendet perëndimore. Në këtë shkollë ofrohen diploma me karakter të specializuar, kryesisht të natyrës teknike, me minimalisht dy vite studimi dhe 120 kredite sipas sistemit ECTS. Në vitin akademik 2009-2010 Universiteti “Aleksandër Moisiu” zgjerohet me një filial në qytetin e Peshkopisë, Në Filialin e Peshkopisë janë hapur programe studimi të ciklit të parë të të tri njësive kryesore të universitetit të vendosura në Durrës. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 685, datë 25.08.2010 “Për riorganizimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, në fillim të vitit të ri akademik 2010-2011, universiteti u zgjerua dhe me dy fakultete të reja, Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike dhe Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit. Gjithashtu, u riorganizuan njësitë kryesore të universitetit duke bërë të mundur që sot në përbërje të tij të jenë 6 fakultete si Fakulteti i Biznesit, Fakulteti i Edukimit, i Teknologjisë së Informacionit, Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, Fakulteti i Studimeve Profesionale, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), si dhe filiali në qytetin e Peshkopisë.