SHBA, 5 korrik 2014 – Uragani Arthur është zbutur pak dhe është shndërruar në stuhi tropikale, derisa lëvizë drejt Kanadase.
Erërat e kësaj stuhie sot e kanë shpejtësinë 112 km/orë, ndërsa lëvizin në jugperëndim.
Më parë, ky uragan i kishte kaluar barrierat e ishujve të Karolinës Veriore, por nuk ka pasur dëmë të mëdha materiale dhe lëndime të njerëzve.
Shiu i fuqishëm i uraganit i ka shkatërruar disa festime me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, por megjithatë shou më i madh i fishekzjarreve në Shtetet e Bashkuara është mbajtur mbrëmë në East River ndërmjet lagjeve Manhatan dhe Bruklin.
Uragani Arthur ishte i pari që ka goditur Shtetet e Bashkuara prej tetorit të vitit 2012, kur super stuhia e fuqishme Sandy, pothuajse e shkatërroi Nju Jorkun dhe Nju Xhersin, duke shkaktuar dëme në vlerë prej 70 miliardë dollarësh.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





