“Është një hapësirë që nuk u lejon të gjithë qytetarëve ta aksesojnë atë, sepse është një hapësirë e mysët, jo një hapësirë e lugët, që mund të krijojë një amfiteatër apo një hapësirë qëndrimi. Mund ta quajmë një hapësirë monumentale, një hapësirë fizike që synon madhështinë dhe ta bëjë njeriun të ndihet gjithnjë e më i vogël, përballë këtij pushteti të ekzagjeruar”

Për urbanistin Artan Kacani, projekti “Veliera” me mënyrën sesi është realizuar e ka humbur qëllimin për të cilin u ideua realizimi i saj.

““Veliera” do të jetë një nga simbolet moderne të Durrësit”,– u shpreh vite më parë arkitekti i saj Marco Casamonti gjatë dëgjesës publike të zhvilluar tek Qendra Kulturore, por kjo ngrehinë prej betoni dhe hekuri ka prishur lidhjen organike të qytetit me portin dhe detin.  

“Nuk kemi nyje infrastrukturore, të cilat të lejojnë ndërshkëmbimin infrastrukturor dhe të mobilitetit. Ajo ka tjetërsuar një hapësirë kaq të rëndësishme për qytetin, duke thyer pikërisht atë që quhej dikur perspektiva urbane e përtej detit, për në Itali”,- thotë urbanisti Kacani.

Bulevardi ‘Epidamn”, apo siç njihet ndryshe nga durrsakët “Rruga tregtare”, deri pak vite më parë zgjatej deri në hyrjen e portit detar, ndërkohë që tashmë në pjesën fundore të tij ngrihet “Veliera”, që dominon gjithë peisazhin përreth.

Për urbanistin Kacani, lidhja qytet – det është thyer.

“Kjo lloj perspektive arkitektonike dhe urbane është thyer me këtë samarin e shtrembër nëse mund ta quaj kështu, që nuk lejon të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një qytet bregdetar apo jo”.

Projekti urban më i kushtueshëm i viteve të fundit në Durrës mund të vijojë të “rrëmbejë” sërish para në vitet e ardhshme. Me një kosto mbi 9 milionë euro për realizimin, “Veliera” do të ketë nevojë për mirëmbajtje.

“Vlera e Velierës mbetet gjithnjë një gropë urbane shpenzimesh. Duhet të kuptojmë që shpenzimet janë tejet të mëdha jo vetëm gjatë realizimit, por edhe pasi të mbarojë. Do të llogaritet kostoja përsa i përket ndryshkut, mirëmbajtjes së hekurit, të betonit dhe erozionit që ndodh në bregdet”,- thotë Kacani.

Prej ditësh, në projektin “Veliera” ka nisur puna për veshjen me pllaka të Velës. Kjo është faza finale e projektit, të nisur që në fund të vitit 2016.

M.B.