Punimet në rrugë, trafiku i rënduar dhe mungesa e parkimeve ia kanë vështirësuar përditshmërinë drejtuesve të automjeteve në Durrës. Urbanisti i njohur Ardian Muka, e quan aferë korruptive faktin që vetëm në 500 metra rrugë nga Muzeu i Dëshmorëve deri tek Stacioni i Trenit janë ndërtuar 3 rotonda të mëdha, në një kohë kur shpejtësia e lëvizjes brenda në qytet është 20km/h.

“Brenda në qytet, ku trafiku i lëvizjes është me 20 km/h të ndërtosh 3 rotonda për mendimin tim ka vetëm një efekt: Korrupsion dhe vjedhje të fondeve publike duke krijuar punë publike të padomosdoshme”

Për Mukën, ngushtimet e rrugëve dhe zgjerimi i trotuareve duhet të kishin ecur paralelisht me  hapjen e parkimeve të reja publike. Ajo çfarë shohin qytetarët e Durrësit çdo ditë është lulëzimi i parkimeve private.

“Që të fillosh të bësh ndërhyrje në rrugë, qoftë edhe të këtij standarti që po bëhet aktualisht, duket të kesh paraprakisht një studim për parkimin. Me ngushtimin e rrugëve është hequr një pjesë të hapësirave ku qytetarët parkonin makinën, prandaj shtrohet pyetja: Ku do të parkohen këto mjete? Në Durrës nuk kemi një parkim publik. Janë disa parkime të shpërndara andej këtej, që zotërohen nga privatët. Në kohën kur unë kam qenë pjesë e Këshillit Bashkiak nuk kemi dhënë asnjë sipërfaqe, të licensuar nga ana e bashkisë, privatëve që të ushtrojnë këtë aktivitet. Në Durrës, në parkime private paguhen para, por qytetarët nuk marrin asnjë kupon mbrapsht”,- thotë urbanisti.

Përmbytjet e rrugëve dhe lagjeve të Durrësit janë një fenomen i  njohur për banorët e qytetit bregdetar. Muka thotë se ndërhyrjet në rrugë, pavarësisht premtimeve të pushtetarëve vendorë se ato do të evitonin përmbytjet, janë thjesht për fasadë.

“Ndërhyhet vetëm për të zëvendësuar pllakat dhe jo për të zgjidhur problematikat e qytetit me përmbytjet”,- thotë Muka.

“Ish-kryebashkiaku pati premtuar që me këto ndërhyrje do të zgjidhnin problematikat që kemi me përmbytjet në qytetin e Durrësit. Fakti është që kjo nuk ka ndodhur, sepse nuk ka asnjë ndërhyrje në pjesën e infrastrukturës, si në trotuaret ashtu edhe në rrugët, ku po kryhet rehabilitimi. Këto ndërhyrje janë thjesht për fasadë”,- vijon më tej ai.  

Urbanisti i njohur ngre akuza direkte për bashkinë e Durrësi,t të cilën e konsideron inefiçente për t’u dhënë zgjidhje konkrete problematikave të qytetit.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi një bashki inefiçente, kemi një bashki që nuk vepron për qytetarët, kemi një bashki që drejtohet nga persona anonym, që nuk janë zgjedhur nga vota e popullit. Duke mos u zgjedhur nga vota e popullit, ata janë duke bërë çfarë duan me fondet e tërmetit, me ndërhyrjet nëpër rrugë”,- thotë Muka.

M.B.