Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) pranoi kërkesën e kryeprokurorit të saj Karim Khan duke lëshuar urdhër-arrest kundër kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Joav Gallant.
Arsyeja janë krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, për të cilat përgjegjës mund të jenë politikanët.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arresti edhe kundër udhëheqësit të organizatës terroriste radikal islamike Hamas Mohammad Diab Ibrahim Al-Masri në kontekstin e sulmeve terroriste ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Reagimet nga Izraeli kundër urdhër-arresteve ndaj kryeministrit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes ishin të menjëhershme: Benjamin Netanjahu i shau gjyqtarët si “antisemitë”. Zyra e tij në Jeruzalem komunikoi, se “Izraeli i hedh poshtë me neveri aksionet absurde dhe të rreme, që ka ndërmarrë GJNP kundër tij.”
Presidenti i Izraelit lëshimin e urdhër-arresteve e quajti si “një ditë e zezë për drejtësinë. Një ditë e zezë për njerëzimin”. Drejtësia ndërkombëtare bëhet kështu qesharake, u shpreh presidenti Isaak Herzog.
“Kjo e kthen në një farsë luftën e të gjithë atyre që luftojnë për drejtësinë – duke nisur që nga fitorja e aleatëve kundër nazizmit e deri në ditët tona.”
Balkees Jarrah, specialist për të drejtën ndërkombëtare pranë organizatës Human Right Watch, i tha DW-së, se tani varet nga qeveritë, nëse kjo gjykatë mund ta përmbushë mandatin e saj. “Këto urdhër-arreste duhet më në fund të vënë në lëvizje bashkësinë ndërkombëtare që t’i japë fund krimeve të dhunshme dhe të garantojë drejtësi për të gjitha viktimat në Palestinë dhe në Izrael”, nënvizoi Balkees Jarrah nga Human Rights Watch.
I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Josep Borrel, konsideron se vendimi i GJNP nuk është politik. Ky vendim duhet të respektohet dhe të zbatohet, tha Borrel, i cili ndodhet për një vizitë në kryeqytetin e Jordanisë, Aman. Urdhër-arresti i vë në detyrim ta zbatojnë atë të gjitha shtetet kontraktuese me GJNP, ndër to edhe të gjitha shtetet e BE-së. Borrel theksoi, se duhet t’i jepet fund tragjedisë në Rripin e Gazës.
Izraeli nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare Penale e po ashtu as SHBA-ja, Kina, Rusia dhe India, si dhe gati asnjë vend arab dhe Irani nuk e pranojnë GJNP-në. Nëse asnjë nga zonat e prekura nuk është palë e GJNP-së, vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së me një rezolutë mund të urdhërojë Gjykatën të aktivizohet./ DW