Është Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që do të hetojë çështjen “Braho”. Kreu i njësisë së antikorrupsionit, prokurori Arenc Çela ka nisur hetim për rastin në fjalë si dhe është marrë vendimi për pezullim nga detyra e Brahos dhe shpallje në kërkim e Lushës.

Në pamjet e publikuara, oficeri i policisë gjyqësore Fatos Lusha shfaqet duke i marrë 18 mijë euro një qytetari të cilit i ishte bllokuar një transfertë prej 120 mijë euro.

Fatos Lusha është oficer i Prokurorisë së Tiranës te njësia taskë forcë. Mësohet se Lusha ka qenë 15 vite oficer ushtarak pranë prokurorisë por këtë vit është emëruar oficer i prokurorisë së Tiranës. Ai ka hetuar gjithashtu edhe çështjen e Tom Doshit për pastrim parash.

Po kështu ka hetuar edhe dosjen e përgjimit të kryepolicit Haki Çako, parkun e liqenit të Veliajt, trukimet e ndeshjes së Skënderbeut, hetimin e rrëzimit të helikopterit të ushtrisë në Shkodër, etj.

Gjatë videos Lusha thotë se ka bizneset e tij dhe nga shuma prej 18 mijë eurosh nuk merr asgjë. Por, në fund ai i kërkon një kafe qytetarit që ka bërë denoncimin.