Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Durrësit, Nadire Jani, shprehet se institucioni që ajo drejton, është i vendosur të respektojë me rigorozitet urdhrin e ri të ministrisë së Shëndetësisë.

Regjimi i ri i urdhëruar nga ministrja Ogerta Manastirliu, është i unifikuar, pra në çdo spital universitar, rajonal apo bashkiak, ku janë përcaktuar orare fikse të vizitave të familjarëve dhe është ndaluar prezenca e familjarëve në Urgjenca, përveç rasteve kur kërkohet nga mjeku.

Kështu, të gjithë njerëzit që do i drejtohen spitalit të Durrësit për të vizituar të afërmit e tyre, duhet të kenë parasysh që lejohen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00 – 13:00 dhe mbasdite nga ora 17:00 -19:00.

Drejtoresha Jani tha se personat që do lejohen të jenë pranë pacientëve, do të pajisen me fletë hyrje, në mënyrë që të mos shkaktohen përplasje mes stafit të spitalit dhe familjarëve, siç ndodhi edhe mbrëmjen e të shtunës, ku mjeku i urgjencës u godit nga persona të dehur.

Rreth këtij rasti, mjekja Jani deklaroi se kompania e rojeve private e cila ka kontratë me spitalin, i ka komunikuar ndryshim të stafit, vendosjen e njerëzve të përgjegjshëm, më të rinj në moshë dhe me fizik më të madh për të përballuar situata të ngjashme me atë të 23 shkurtit.

G.D.