Në pikun e sezonit veror, një urdhër i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, dërguar policive kufitare të katër porteve të Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit, kërkon që asnjë anije peshkimi mbi 12 metra të mos lejohet të dalë në det, pa qenë e pajisur me “BlueBox”, aparatura identifikuese në det.

Urdhri i lëshuar në datën 5 korrik, ka bllokuar në mol të lidhura të gjithë flotën e Durrësit, duke sjellë reagimin e ashpër të të gjithë pronarëve e peshkatarëve të Durrësit. Sipas peshkatarëve, bllokimi i flotës së peshkimit  për pajisjen e anijeve të peshkimit me aparaturën “Bluebox”, është tërësisht procedurë korruptive.

Të gjithë kanë mbetur pa punë në peshkimin e Durrësit. Efektet zinxhir prekin së paku 500 familje, dhe të gjithë rrjetin e restoranteve e të hoteleve në Durrës.

Pas pengmarrjes së anijes “Çelepia 2” me dy marinarë në bord më 18 qershor të 2014-s, QNOD dha urdhër për bllokimin e të gjitha anijeve që nuk ishin të pajisura me mjet sinjalizues “BlueBox”. Por peshkatarët u lejuan të dalin në det me kusht që të lidheshin çdo 4 orë me radio me qendrën. Një urdhër i dytë i lë të gjithë peshkatarët në pikun e sezonit të lidhur në mol, e të gjithë tregun vendas pa prodhimet e freskëta të detit.

Ndërkohë, ata bëjnë me dije se po spekulohet me ligjin, pasi neni 88 për funksionimin e peshkimit përcakton jo “Blue Box”, por një pajisje identifikuese që përcakton emrin e anijes, kuadratin ku ndodhet dhe linjën e lundrimit.

Ndjekim videon.

K.H.