Departamenti i Shtetit u përpoq të mërkurën të qartësojë urdhrin e Presidentit Donald Trump për ngrirjen dhe rishikimin e ndihmave që Shtetet e Bashkuara japin për zhvillimin e vendeve të tjera.
Ndërkohë, kryediplomati amerikan u përpoq të qetësojë paqartësitë e krijuara, duke lëshuar një urdhër emergjence për të mbrojtur nga pezullimi 90-ditor programin kryesor kundër sëmundjes AIDS.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se pezullimi i fondeve për programet e ndihmës brenda vendit dhe atyre për vendet e tjera, është në kuadrin e përpjekjeve të administratës për të çrrënjosur “shpërdorimin e jashtëzakonshëm dhe vjedhjen dhe abuzimin”.
Urdhri i lëshuar në orët e vona të së martës nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, përjashton ndihmat humanitare, që ai e klasifikon si “mjekësi që shpëton jetë, shërbime mjekësore, ushqime, strehim dhe ndihmë për sigurimin e nivelit minimal të jetesës, si dhe kostot administrative dhe furnizimet e nevojshme për ta mundësuar këtë ndihmë”.
Programi i Kombeve të Bashkuara për sëmundjen AIDS e mirëpriti këtë zhvillim, duke theksuar vlerën e Planit të Emergjencave të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për Ndihmën kundër SIDA-s, ose PEPFAR, program që u shërben 20 milionë njerëzve, në 55 vende.
“UNAIDS e mirëpret këtë përjashtim nga qeveria amerikane, që siguron që miliona njerëz që jetojnë me virusin HIV të mund të vazhdojnë të marrin ilaçe që shpëtojnë jetë, ndërkohë që rivlerësohet ndihma që japin Shtetet e Bashkuara për zhvillimin e vendeve të tjera”, tha drejtorja ekzekutive, Winnie Byanyima. “Ky vendim urgjent njeh rolin jetik të PEPFAR-it në masat kundër SIDA-s dhe rikthen shpresën tek njerëzit që jetojnë me virusin HIV”.
Bllokimi i programeve që nuk përputhen me axhendën “Amerika e Para”
Në një memorandum dërguar gazetarëve të mërkurën, Departamenti i Shtetit shpjegoi arsyetimin për ngrirjen e fondeve gjatë rishikimit të programeve dhe lavdëroi shkurtimet e hershme të kostove, duke thënë se “edhe në këtë fazë të hershme, janë parandaluar mbi 1,000,000,000 dollarë në shpenzime që nuk përputheshin me një axhendë Amerika e Parë”.
Shtetet e Bashkuara shpenzuan rreth 70 miliardë dollarë për ndihmat për vendet e tjera gjatë vitit 2023, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme.





