Tiranë, 24 prill 2014 – Në një artikull të saj të ditës së sotme “Panorama” boton urdhrin e Drejtorisë Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë, drejtuar krerëve të shkollave e kopshteve, me të cilën u kërkohet mësuesve të paraqesin faturën e paguar të dritave.
Arsimtarët e shkollave dhe kopshteve të kryeqytetit duhet të dorëzojnë deri më 28 prill librezën e dritave, për t’u konfirmuar drejtuesve të tyre se e kanë paguar energjinë elektrike në tre muajt e parë të këtij viti.
Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë (DARQT) ka urdhëruar drejtuesit e shkollave dhe kopshteve që t’u kërkojnë mësuesve dhe personelit tjetër ndihmës në këto institucione librezën e energjisë elektrike për të verifikuar nëse ata i kanë paguar dritat duke filluar nga muaji janar. Ata punonjës që kanë fatura të papaguara energjie duhet t’i shlyejnë ato brenda afatit të caktuar, në të kundërt rrezikojnë të largohen edhe nga puna.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





