Një urë e re bashkëpunimi është lidhur mes Autoritetit Shqiptar të Mediave Audiovizive dhe Autoritetit Rregullator Portugez për Median.

Në kuadër të mbledhjes së 22-të Plenare të Grupit Rregullator Europian të Mediave Audiovizive, që po zhvillohet në Romë, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me homologen portugeze, Helena Sousa. Ky Memorandum ka për qëllim krijimin e një kuadri ligjor për rritjen e bashkëpunimit në fushat e interesit dhe ndihmës së përbashkët, ndërmjet rregullatorëve të dy vendeve.

Në takimin e zhvilluar mes Krasniqit dhe Sousa-s, kryetarja e AMA-s ka bërë një prezantim të shkurtër mbi punën e autoritetit dhe objektivat e arritura deri tani, siç janë miratimi i ndryshimeve ligjore dhe harmonizimi me Direktivën e BE-së. Në këtë kuadër, AMA ka miratuar edhe një tjetër akt të rëndësishëm rregulloren “Për kriteret dhe procedurat e shqyrtimit të ndryshimeve në strukturën e pronësisë dhe transparencën e të dhënave të lidhura me pronësinë e OSHMA-ve”, falë së cilës është përmbushur tashmë edhe detyrimi i transparencës së plotë mbi pronarët përfitues të medias audio dhe audiovizive në vend.

Temë e bisedës kanë qenë edhe ndryshimet e mëtejshme të propozuara nga AMA, që parashikojnë përfshirjen e konceptit të Matjes së Audiencës ne ligj; luftën kundër piraterisë së të drejtave të transmetimit dhe vijimësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar që punojnë në fushën e medias, në favor të përmirësimit të cilësisë së gazetarisë në median audiovizive dhe jo vetëm. Palët janë angazhuar që, sa i takon monitorimit të përmbajtjes së transmetuar, të dy autoritetet do të shkëmbejnë informacionin mbi teknologjinë e softuerit të përdorur për përmbajtjen audiovizive, duke përfshirë platformat digjitale, transmetimin online dhe teknologjitë e tjera innovative; do të zhvillohen metoda të përbashkëta për monitorimin e përmbajtjes të transmetuar, duke përfshirë analiza të përmbajtjes, vlerësime të pavarura të përmbajtjes dhe auditime periodike, për të siguruar përputhshmërinë me standardet e autoriteteve si dhe do të shkëmbehen njohuri dhe përvoja lidhur me pajisjet e avancuara për monitorimin e përmbajtjes të transmetuar.