Urgjenca e spitalit të Durrësit, qytetit të dytë më të madh e më të rëndësishëm në vend, nuk ka as medikamentet më bazike. Në urgjencën e Durrësit nuk ka fasha, që pacientët të fashojnë plagët e tyre.

Denoncimi bëhet nga ana e qytetarëve të Durrësit në redaksinë e “DurrësLajm”, të cilët gjatë këtyre ditëve që iu është dashur të çojnë familjarët e tyre në urgjencë, janë përballur me situatën alarmante.

Me plagë të sapo shkaktuara e me hemoragji nëpër trup, të afërmve të të lënduarve iu është komunikuar nga ana e bluzave të bardha që të shkojnë të blejnë fasha në farmacitë rreth e rrotull spitalit, pasi vetë ata nuk disponojnë!

E nëse një person i lënduar shkon i pashoqëruar për të marrë një ndërhyrje urgjente, nuk dihet se kush do të shkojë t'ia blejë fashat në farmaci.

Situata rëndohet akoma edhe më tepër në këtë periudhë që spitali dhe urgjenca në Durrës përballet me fluks pacientësh për shkak të sëzonit turistik, ku stafi dhe medikamentet e barnat bazike, jo vetëm që nuk duhet të mungojnë, por edhe të jenë me rezerva.

Ajo që e bën patetike sistemin tonë shëndetësor, është fakti që krerët e Shëndetësisë dalin e reklamojnë standardet e reja të shërbimit të urgjencës në territor, kur në të njëjtën kohë shqiptarët përballen me një realitet krejt tjetër.

Jo më larg se këtë të premte, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në aktivitetin “Modernizimi i Urgjencës Kombëtare”, është ndalur te roli shumë i rëndësishëm sa i takon koordinimit të shërbimit të urgjencës gjatë sezonit turistik.

Ministrja reklamoi 100 autoambulancat e Urgjencës Kombëtare që janë pajisur me mjetet e reja jetëshpëtuese, duke ngritur sipas saj në një standard të ri shërbimin e urgjencës në territor. Standard i ri ky që çon nga ana tjetër në mungesën e nevojave më elementare dhe bazike për një spital si Durrësi.

Manastirliu deklaroi gjithashtu se investimet në urgjencën kombëtare do të vijojnë jo vetëm në urgjencën paraspitalore, por edhe në urgjencat e spitaleve, me investime të mëdha.

“Prezantojmë sot një risi sa i takon shërbimit të urgjencës paraspitalore. 100 autoambulanca në territor janë pajisur me sete mjekësore moderne, me të gjitha mjetet e reja jetëshpëtuese, duke filluar nga setet për traumën, setet e intubimit, sete medikametesh, sete mjekimi, aparaturat për matjen e parametrave jetësor, duke garantuar një standard të ri shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.

Manastirliu deklaroi gjithashtu se do të pasurohet flota e autoambulancave në territor me “32 të reja, moderne, plotësisht të pajisura me mjetet jetëshpëtuese -defribilator, bombula oksigjeni, aspirator, etj. që padyshim do të sjellin sipas saj, një cilësi të re shërbimi për qytetarët”.

Cilësia e shërbimit do të ishte mirë të ndryshonte nga këto që kemi aktualisht, duke nisur që nga Durrësi, ku shpeshherë ka probleme të mëdha sa i takon furnizimit me medikamentet bazë!

S.L.