250 persona në ditë ka shkuar numri i pacientëve që i drejtohen urgjencës së spitalit rajonal të Durrësit, në këto ditë korriku. Pavarësisht se nuk ka arritur piku i numrit të pacientëve, ky mbetet një numër shumë i lartë pacientësh për të vetmen urgjencë që ka spitali Rajonal i Durrësit, ku vijnë edhe traumat prej Rrogozhinës, Kavajës e rrethinave të këtyre bashkive duke përfshirë edhe Durrësin, ku popullsia dyfishohet gjatë sezonit.
Shefi i urgjencës së spitalit të Durrësit, Ashim Zogu, në një intervistë për “DurrësLajm”, pohoi se janë marrë një sërë masash organizative për të përballuar fluksin e pacientëve, por më e rëndësishmja është kryer, furnizimi i urgjencës me barnat e nevojshme e të domosdoshme.
“Personeli i urgjencës është shtuar me 20 persona. Janë shtuar në organikë 10 shoferë urgjence dhe 10 infermierë për dhënien e ndihmës së parë. Furnizimi me barna është bërë dhe nuk ka mungesa për sezonin veror.
Një makinë urgjence do të punojë 24 në 24 orë, vetëm do të ndërrohen shoferët. Ne duhet të kemi mbi 10 makina në punë, në bazë të normës së OBSH-së”.
Po kështu, i gjithë ekipi i urgjencës ashtu si çdo sezon veror, përjashtohet nga dhënia e lejeve të zakonshme në muajt korrik- gusht, me qëllim që i gjithë ekipi të jetë në gatishmëri.
Në pikun e sezonit, numri i urgjencave shkon në mbi 400 në ditë, duke bërë që ekipi i urgjencës së Durrësit të përballojë numrin më të madh të pacientëve.
K.H.





