Në vigjilje të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, komuniteti mysliman në Durrës po përgatitet për muajin e sakrifikës.

Është viti i dytë që për shkak të pandemisë besimtarët duhet t’u përshtaten masave kufizuese, megjithëse një ditë më parë, Komiteti Teknik i Ekspertëve zgjati orarin e qarkullimit të njerëzve dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve deri në orën 22.00.

Për imamin e Xhamisë së Madhe të Durrësit, Ervin Qylafku, pavarësisht një viti të vështirë për shkak të pandemisë, besimi në zot mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm.

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarët myslimanë, imami Qylafku uron një muaj të begatë dhe me ndryshime të mëdha.

“I uroj të gjithë besimtarët myslimanë të kenë një agjërim sa më të lehtë, të pranuar, qofshin sa më pranë zotit në këtë muaj të begatë. Ky muaj qoftë sa më i bereqetshëm për ta. Qoftë muaji i ndryshimeve të mëdha, në rrafshin individual, por edhe atë shoqëror”,– tha imami Qylafku.

Muaji i Ramazanit nis ditën e martë, datë 13 prill. Ramazani është muaji ku besimtarët myslimanë ndërpresin ushqimin e pijen, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të diellit (nga syfyri deri në iftar); është një muaj i vlerave të larta njerëzore, morale e sociale, muaji i solidaritetit dhe bashkëpunimit, muaji dedikuar më shumë adhurimit dhe këndimit të Kuranit, muaji i sadakasë dhe i mirëbërësisë, muaji i mëshirës, virtytit dhe dhembshurisë.

M.B.