Kryeministri Edi Rama është pyetur në konferencën e fundvitit me mediat se cili do të ishte urimi i tij politikisht për kreun e PD-së, Lulzim Basha, Presidentin Ilir Meta dhe liderin historik të PD Sali Berisha.

Rama tha politikisht iu uronte që të shkonin të tre në shtëpi ndërsa njerëzisht iu uronte shëndet në familje.

“Politikisht do ju uroja të shkojnë në shtëpi të tre. Do ishte shumë mirë për ta. Njerëzisht iu uroj të kenë shëndet në familje, në kuptimin që shëndetin ta ketë me vete për vete dhe familjen e tyre. Çfarë bëjnë me njëri-tjetrin është jashtë mundësive të mia për t’i ndihmuar. Po të ishte mundësia për ti ndihmuar do t’i çoja në shtëpi të tre”, tha Rama.

Ndërkohë sa i takon vetes Rama tha se akoma nuk ka ardhur dita që t’i çojë kartolina vetes.

“Çfarë i uron Edi Rama- Edi Ramës. Nuk flas për veten ne vetë të tretë. Njëri thotë Presidenti i Republikës ka vendosur. Tjetri thotë Sali Berisha ka thënë. Kur e thotë Lulzim Basha ndajeni mendjen që është e vërteta. Kurse unë nuk flas në vetë të tretë për veten dhe akoma s’kam ardh në ditën që ti çoj kartolina vetes”, tha Rama.