Opinioni publik në Itali dhe Shqipëri u trondit mbrëmjen e sotme nga një tragjedi e regjistruar në një familje shqiptare, nga Durrësi, e cila prej shumë vitesh jetonte në vendin fqinjë.

Burri, 62-vjeçari Muhamet Vrapi, vrau me një thikë kuzhine gruan e tij, Diana Vrapi Koni, nënën e 3 fëmijëve të çiftit.

Mediat italiane raportuan se ndaj gruas, burri e kishte ngritur plot 15 herë thikën, duke mos i dhënë mundësi t’i mbijetonte sulmit.

Orë pas ore zbardhen detaje të reja të jetës bashkëshortore, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të krimit makabër, që është pranuar nga bashkëshorti vrasës.

Mësohet se pak vite më parë marrëdhënia e tyre kishte pësuar ‘krisje’, ndërsa gruaja ishte larguar nga shtëpia për disa ditë, duke qëndruar tek një nga djemtë e saj. Por, pas insistimeve të burrit, ajo ka shkuar në shtëpi që të takohej me të.

Njëri nga fëmijët e çiftit ka deklaruar në polici se i ka kërkuar së ëmës të mos kthehej më në atë shtëpi. Duket se djali ka parandjerë tragjedinë e konsumuar pasditen e sotme.

Sakaq, hetimet e mëvonshme do të sqarojnë edhe dinamikën e ngjarjes, që shkaktoi një viktimë.

Nga një vëzhgim që DurrësLajm bëri në profilin në Facebook të viktimës, 52-vjeçares Diana Vrapi Koni vuri re një sërë fotosh të çiftit, që përballë aparatit fotografik shfaqet mjaft i qeshur.

Në një nga postimet e fundit të saj, bërë në datë 20 nëntor 2016, Diana uron në italisht bashkëshortin, me rastin e ditëlindjes.

“Oggi è un giorno speciale per il mio amore amore sei un papà è un marito speciale ti amo e ti amerò per tutta la nostra vita auguri amore mio mille di questi giorni (Sot është një ditë speciale për dashurinë time. I dashur ti je një baba dhe bashkëshort special, të dua dhe do të dua gjithë jetën të uroj edhe mijëra ditë të tjera të lumtura)” shkruan Diana.

Një urim plot dashuri për burrin dhe babain e fëmijëve të saj. Duket se as ajo vetë nuk e kishte menduar asnjëherë se do t’i merrej jeta pikërisht nga dashuria e saj…

M.B.