Brazil, 24 qershor 2014 – Kampionati Botëror i çudirave mund të quhet ky i Brazilit 2014. Një tjetër skuadër që ka bërë histori, e që sot largohet është kombëtarja e Italisë. Azzurrët nuk arritën të nxjerrin rezultatin e nevojshëm për t’u kualifikuar në të tetën e finales. Uruguai regjistroi fitore me rezultat 1-0 në Arena das Dunas në Natal, e cila mjaftoi për këtë kombëtare që të merrte tri pikët dhe t’i bashkohej Kosta Rikës në të tetën e finales.
Pjesa e parë ishte i zbehtë sa u përket rasteve të shënimit, ndërsa Azzurrët arritën ta kontrollonin lojën dhe të zhvillonin një ndeshje të sigurt. La Celeste përpiqej me anë të kundërsulmeve dhe në përpjekje për të shfrytëzuar potencialin e dy sulmuesve të fuqishëm, Suarez e Cavani, për të ndëshkuar. Italianët nga ana tjetër bënin lojë të qetë dhe shkonin ngadalë në sulm.
Në gjysmën e dytë, uruguaianët u angazhuan më tepër, duke qenë se u nevojitej fitorja për të vazhduar tutje dhe ia arritën qëllimit të tyre. Fillimisht, Claudio Marchisio u përjashtua me karton të kuq (59’) dhe më pas erdhi goli i fitores nga Diego Godin (81’).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





