Stina e verës është në kulmin e saj dhe ushqimet janë një faktor kyç që luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin tonë, kryesisht në hidratimin e trupit.

Nutricionistët theksojnë se duhet bërë një zgjedhje e shëndetshme ushqimesh të freskëta. Për të folur lidhur me këtë temë dhe për regjimin ushqimor që duhet të kemi gjatë stinës së verës ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nutricionistja Diola Dosti.

Sipas saj, gjatë stinës së nxehtë të verës ushqimet që duhet të konsumohen më së shumti janë shalqiri, bostani, domatet dhe kastravecët.

“Është e rëndësishme të shfrytëzojmë dhuratat e natyrës. Nëse respektojmë sezonin e frutave dhe perimeve nuk do të kemi nevojë më vonë për të përdorur ilaçe. Nëse marrim mjaftueshëm vitaminat dhe mineralet, natyrisht do të jemi më vitalë. Ushqimi që duhet të jetë patjetër prezent në tryezat tona gjatë stinës së verës është bostani dhe shalqiri, por duhet të konsumohen me fara. Farat janë të pasura me fibra të tretshme që do të thotë që ndihmojnë shumë personat që kanë probleme me konstipacionin. Duke qenë se kanë prezencë të lartë të fibrave krijojnë edhe ndjesinë e ngopjes. Bostani ka shumë pak kalori, por marrja e tij bashkë me farat krijon ndjesinë e ngopjes. Personat të cilët duan të humbasin peshë apo duan të ruajnë peshën e tyre natyrale duhet të konsumojnë bostanin apo shalqirin bashkë me fara. Gjithashtu frutat që përmbajnë ngjyrë të kuqe janë të pasura me likopen, i cili është një antioksidant dhe lufton infeksionet. Domatet, kastravecët dhe specat gjithashtu nuk duhet të mungojnë në regjimin tonë ushqimor gjatë stinës së verës”, tha nutricionistja.