DURRËS, 6 nëntor 2014 –  Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), organizuan më 6 nëntor 2014, një inspektim të përbashkët për zbatimin e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.

Dy trupat inspektues, i AKU-së dhe ISHSH-së nisën kontrollet në bare-kafe, restorante dhe ambiente të tjera mbyllura publike në Tiranë, me qëllim zbatimin e ligjit dhe mbarëvajtjen e tij, ku vendosën gjobat nga 300 mijë lekë për bizneset.

Në fillim të aksionit të përbashkët të inspektimit mes AKU-së dhe ISHSH-së, dy krerët e institucioneve që kanë për detyrë zbatimin e këtij ligji, deklaruan për mediet se këtë radhë, ligji do të zbatohet dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt, në asnjë rast.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Afrim Bakaj tha:

“AKU-ja, si institucion palë në zbatimin e këtij ligji, është e vendosur që të monitorojë çdo bar-kafe, restorant, operator biznesi që është edhe në fokusin e punës së saj, për të garantuar, si sigurinë ushqimore, ashtu edhe zbatimin e ligjit.

AKU-ja ka vullnetin dhe potencialin njerëzor për zbatimin e këtij ligji”.

Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor z. Eltar Deda, tha:

“Megjithëse ligji në përgjithësi ka karakter edukues, sensibilizues, ne nuk do të tolerojmë askënd që të shkelë atë. Zbatimi i ligjit ka gjetur mirëkuptimin e bizneseve dhe institucioneve, por nuk kanë munguar edhe rastet e vënies së gjobave, për ato institucione dhe operatorë biznesi që nuk kanë respektuar ligjin. Dua të theksoj që jemi të vendosur që ligjin ta respektojmë deri në fund, megjithëse, e ritheksoj, këmbëngulim te sensibilizimi”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/