Në mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendimi për dërgimin e katër ushtarakëve shqiptarë (anëtarë të FA) nën Komandën e NATO-s në Wiesbaden, Gjermani, për të kontribuar në misionet e ndihmës dhe trajnimit për Ukrainën.

Ushtarakët shqiptarë do të ofrojnë ndihmë dhe trajnim për personelin e Forcave të Armatosura të Ukrainës si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për mbështetje të shtetit ukrainas në kontekstin e krizës ushtarake të vazhdueshme. Misioni i ushtarëve shqiptarë ka një kohëzgjatje prej tre vitesh, me rotacion çdo 180 ditë.

Ministria e Mbrojtjes do të mbulojë shpenzimet përkatëse të ushtarëve, duke përfshirë dietat, akomodimin, ushqimin, sigurimin e jetës dhe shpenzimet për shëndetin, komunikimin dhe transportin.

Vendimi i plotë:

V E N D I M PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KOMANDËN E NATO-S NË ËIESBADEN, GJERMANI, PËR NDIHMË DHE TRAJNIM PËR UKRAINËN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.Pjesëmarrjen në Komandën e NATO-s në Ëiesbaden, Gjermani, të 4 (katër) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për ndihmë dhe trajnim për Ukrainën.

2.Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është të kontribuojë në dhënien e ndihmës dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

3.Pjesëmarrja e personelit do të ketë një kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, me rotacion 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës.

4.Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për:

a)dietat për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;

b)akomodim;

c)ushqim;

ç)lavanderi;

d)ujë të pijshëm;

dh)energji elektrike;

e)sigurimin e jetës;

ë)siguracion shëndetësor për ditët në udhëtim;

f)mbështetje shëndetësore;

g)shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;

gj)transport;

h) transportin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;

i) aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kryerjes së misionit;

j) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.

5.Transportimi për në atdhe i individëve të shkëputur nga misioni, në rast vdekjeje, sëmundjeje, pamundësie për të përfunduar misionin ose thyerjeje disipline, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy-ose shumëpalëshe, ku pala/palët tjetër/e tjera merr/marrin përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.

6.Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

7.Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.