TIRANË, 22 prill 2013 – Plot 60 mijë banorë në krahinën e lumit të Vlorës përfitojnë nga ndihma dhe mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes, resurseve të Forcave të Armatosura dhe koordinimit mes FA dhe strukturave lokale, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Segmenti i rrugës Babicë – Peshkëpi, rreth 7 km, në një gjendje tejet të amortizuar që u shërben banorëve të kësaj zone, pjesë e aksit të vjetër rrugor Vlorë -Tepelenë, tani do të ketë rehabilitimin e plotë.
Në një aksion dhe plan veprimi të jashtëzakonshëm, Ministria e Mbrojtjes u është përgjigjur kërkesës së 6 kryekomunarëve të kësaj zone, që kërkonin mbështetje për rehabilitimin e këtij segmenti rrugor me synim lehtësimin e qarkullimit, pothuajse të pamundur, që do të lehtësonte jo vetëm bizneset e tyre por edhe lëvizjen e njerëzve në këtë fillim sezoni turistik.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes Arta Musaraj ishte e pranishme të dielën në fillimin e punimeve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





