Katër gazetarë palestinezë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite sot në qytezën Kafr Dan të Bregut Perëndimor të pushtuar, tha Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe, transmeton Anadolu.

Shoqata tha se dy gazetarë u trajtuan në vendin e ngjarjes nga mjekët e saj, ndërsa dy të tjerë u transferuan në spital.

Jaraah Khalaf, një nga gazetarët e plagosur, tha se ai dhe gazetarët e tjerë po mbulonin një rrethim izraelit në një shtëpi në Kafr Dan afër Jeninit, kur ata u vunë nën zjarrin e drejtpërdrejtë izraelit.

“Ne të gjithë kishim veshur jelekë që kishin qartë etiketa identifikimi të shtypit anglisht (PRESS), dhe automjetet tona mbanin të njëjtat shenja”, tha ai për Anadolu.

Forcat e ushtrisë izraelite bastisën qytetin herët sot dhe rrethuan një shtëpi atje, duke u kërkuar banorëve të saj nëpërmjet altoparlantëve që të dorëzoheshin.

Shtëpia u shkatërrua më vonë nga buldozerët ushtarakë izraelitë, ndërsa një fëmijë dhe një tjetër palestinez u plagosën gjatë bastisjes, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Ushtria izraelite nisi të mërkurën e kaluar një operacion të madh ushtarak në veri të Bregut Perëndimor, më i madhi në dy dekada, duke vrarë të paktën 30 njerëz dhe duke shkaktuar shkatërrime masive në zonë.

Ofensiva erdhi në mes të tensioneve në rritje në territorin e pushtuar ndërsa Izraeli po i vazhdon sulmet e tij brutale në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 40.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Të paktën 683 njerëz janë vrarë dhe mbi 5.700 të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Përshkallëzimi pasoi një opinion historik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 19 korrik që shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.