Një armëpunues i rëndësishëm dhe luftëtarë të tjerë të Hamasit u vranë sot si pasojë e sulmeve ajrore në Rripin e Gazës, tha Ushtria e Izraelit.

Ushtria izraelite e vazhdoi ofensivën ndaj rrjetit të madh të tuneleve të grupit militant nën enklavën e rrethuar palestineze. Qyteti i Gazës, bastioni kryesor i grupit militant në këtë territor, është rrethuar nga forcat izraelite. Ushtria tha se është futur në qendër të qytetit të populluar dendësisht.

Ushtria izraelite tha në një komunikatë se në dy sulme të ndara e vrau një armëpunues të lartë të Hamasit, Mahsein Abu Zina, dhe luftëtarë të tjerë.

Izraeli e ka bombarduar Gazën pareshtur nga ajri dhe toka dhe e ka ndarë në dysh enklavën bregdetare, pas sulmit që Hamasi e kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, ku militantët e tij vranë mbi 1.400 njerëz dhe i rrëmbyen rreth 240 të tjerë.

Si pasojë e bombardimeve izraelite janë vrarë më shumë se 10.000 palestinezë, rreth 40 për qind të tyre fëmijë, gjatë muajit të fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi. Izraeli thotë se 32 ushtarë të tij janë vrarë gjatë luftimeve.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se Izraeli e ka “vetëm një synim, terroristët e Hamasit në Gazë, infrastrukturën, komandat, bunkerët dh qendrat e komunikimit të tyre”. /REL