Një pllakë përkujtimore për komandantin e korpusit të Novi Sadit të ish-ushtrisë jugosllave, Mlladen Bratiç, i cili ka udhëhequr sulmin në Vukovar të Kroacisë, u zbulua të premten në kompleksin e ushtrisë serbe në Novi Sad.
Bratiq ka vdekur në fillim të nëntorit, 1991, në Kroaci. Në zbulimin e pllakës, gjenerali serb, Zoran Naskoviq, tha se ushtria serbe “me krenari i kujton të vrarët në konflikt”. Kryetari i Qeverisë së Vojvodinës, Igor Miroviç, i cili e inicioi vendosjen e pllakës, tha se ajo është kujtim për “më të guximshmit në komunitet”.
Në pllakën përkujtimore, përveç emrit të Mlladen Bratiqit, thuhet po ashtu se ai “vdiq në misionin e luftës, më 4 nëntor, 1991”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Ministria e Jashtme e Kroacisë i dërgoi notë proteste Serbisë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, ushtria jugosllave, gjatë rrethimit të Vokovarit, ka përdorur artileri të rëndë dhe ka vendosur atje rreth 15,000 ushtarë. Vukovari i shkatërruar është rikthyer nën kontrollin kroat në nëntor të vitit 1991, pas një rrethimi prej gati tre muajsh.