Nga Gjergj Thanasi

DURRËS, 14 shkurt 2015 –  Nga interpelanca e fundit në Parlament, fatkeqësisht u bënë e u ribënë publike disa aspekte të zeza e të turpshme të ushtrisë shqiptare. Në parlament opozita, me gojën e deputetit Strazimiri akuzoi e deri diku provoi se në ushtrinë shqiptare, hajdutëria vazhdon në epokën e Rilindjes njëlloj, në mos më zi se në vitet e “Gjeneral” Imamit.

Në parlament, opozita, me prova theksoi se sindroma e Gërdecit e kohës së Fatmir Mediut ende është prezente në ushtrinë shqiptare, në epokën rilindase të Mimi Kodhelit. Në Gërdec, ndër të tjera nga tahmaja për para u shkelën rregullat elementare të sigurimit teknik, gjë që një atentat të vogël me lëndë plasëse e shndërroi në hata e hukube. Sot, ushtria nga tahmaja e Rilindur për para përsëri shkel normat elementare të sigurimit teknik, përsa i përket magazinimit të karburanteve si keroseni apo JET A 1-shi, duke krijuar rrezik potencial jo thjesht për jetën e pilotëve, por edhe të VIP-ve të huaj dhe “Rripave” shqiptarë, që mund të përdorin helikopterët tip F 105 me konfiguracion “VIP-Transport”.

Në parlament, me prova u akuzuan disa nga pilotët shqiptarë për mercenarizëm në shërbim të karteleve të narko-trafikut. Në parlament nuk u tha, por deputeti Strazimiri la të kuptohet se ushtria shqiptare ka edhe mynxyra të tjera. Duke përdorur teknikën e marrëdhënieve me publikun të quajtur “names dropping technique”, Strazimiri hapi pakëz fare një tjetër “petë byreku” të ushtrisë shqiptare. Ai lëshoi  (leaked) togfjalëshin: avion renegad duke lënë të kuptohet për specialistët e zanatit se di shumë më tepër për bëmat e gjëmat në ushtrinë shqiptare.

 Nuk ia vlen të merresh me gjeneralucë, që nuk dinë të venë as medaljet mbi uniform, apo që servilosen deri në pështirje politikës. Kur them gjeneralucë servilë të politkës, kam parasysh nga ai te oborri i Jarit presidencial deri te Gejeneral Baze, që është bërë bozë me servilizmin deri në pështirosje ndaj politkës. Normalisht edhe politika ka kusuret e saj. Psh. deputeti Strazimiri, ndërsa lau në publik shumë rroba të pista të ushtrisë shqiptare, duke bërë avokatin e kundëradmiralit, det-shitës Gërveni, thjesht marmelatën me fiq Roshniku e bëri mullar në sallën e Parlamentit.

Fatmirësisht ushtria shqiptare është shumë më tepër se ‘qelbi”, që plasi të enjten në parlament. Përdora termin qelb, sepse termin produkt i zorrës së trashë ma dogji Kryeministri, pasi e përdori në Parlament pikërisht këtë të enjte.

Ushtria shqiptare ka edhe shembuj përkushtimi, adhedashurie , sakrificash, dinjiteti e zotnillëku. Këtu nuk do jap shembuj nga përmbytjet e fundit me suhtarakë me Zodiakë, që mes valëve të Vjosës së dalë nga shtrati shpëtonin dele e jetë njerëzish. Nuk do merrem as me ushtarakët durimmëdhenj, që për hir të bukës së fëmijëve dhe mos shkeljes së betimit ushtarak, pastronin plehrat e plazheve, vetëm sepse ish nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës e shndërruar në ministre i kishte ngatërruar padashje, ushtarakët shqiptarë me punonjësit e komunales së Bashkisë Tiranë.

Jo, unë do sjell një shembull me Shën Valentin.

Sot, kur masivisht shqiptarët e rinj, por jo veç ata mbushnin rrugët e bulevardet, kafenetë e restorantet e Durrësit duke festuar Shën Valentinin me puthje, lule, parfume, verë, peshk e bërxolla, marinarët e flotës shqiptare në vend të shëtitjes me gratë e të dashurat kishin dalë në det. Mund të duket prozaike, por anije të flotës sonë duke shfrytëzuar përmirësimin e kohës, sot në Bregdetin e Currilave po punonin. Ata po rivendosnin bovat sinjalizuese, që stuhia e ditëve të fundit i kishte nxjerrë në breg.

Në videon amatore është filmuar anija ushtarake, që tërheq cimën e bovës sinjalizuese, pikërisht në Currila. Pra detarët tanë në fund javë, në Shën Valentin nuk njohin pushimin, por punojnë e sakrifikojnë, ndërsa civilët shëtisin e puthen me gratë,të fejuarat, të dashurat…..

 Mjafton ky detaj i vogël, pa heroizëm, por me punë dhe një mikrosakrificë për të tërhequr më shumë vëmendjen ndaj profesionit të ushtarakut. Ky profesion për sakrificat e mundimet, që kërkon, është fatkeqësisht ende i nën paguar dhe nuk respektohet e nderohet, aq sa e meriton realisht.