Një nëndetëse ruse që hyri ditën e djeshme në Detin Baltik po ndiqet nga ushtria suedeze, e cila e ka përshkruar ndjekjen si një “operacion rutinë” të zhvilluar në bashkëpunim me aleatët e NATO-s.
Sipas njoftimit zyrtar, një nëndetëse ruse hyri në Detin Baltik përmes ngushticës daneze të ‘Great Belt’, ndërsa më tej theksohet se “aeroplanë luftarakë dhe anije luftarake të forcave të armatosura suedeze e kanë ndjekur nëndetësen në zonën e Kattegat (ngushticë midis Danimarkës dhe Suedisë) dhe që prej asaj kohe e mbajnë nën vëzhgim”.
Forcat e armatosura suedeze sqarojnë se operacioni është pjesë e monitorimit të përditshëm dhe rutinë që bëhet në bashkëpunim të ngushtë me vendet partnere të NATO-s, duke theksuar se “kanë një pasqyrë të qartë të situatës në rajonin përreth”.
Tensionet në Detin Baltik janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.





