Mjete të ushtrisë kanë zbarkuar në Durrës duke ngritur postblloqe në kryqëzimet kryesore në qytet.

Efektivët e policisë ushtarake, të mbështetur edhe nga efektivët e policisë së Durrësit, kanë zbarkuar në lokale, restorante, bare dhe hotele duke i detyruar pronarët e tyre t’i mbyllin pas vendimit të qeverisë të marrë ditën e sotme.

Siç duket qartë nga fotot që po publikon DurrësLajm, në rrugët kryesore të qytetit bregdetar ka shërbime të shtuara policore dhe ushtarake, për të ndaluar lëvizjen e qytetarëve, të cilëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmëngin lëvizjet e panevojshme.

Ndërkohë për t’u mbrojtur nga koronavirusi, policët dhe ushtarakët janë të pajisur me maska mbrojtëse dhe doreza.

Në postblloqe ndalohen mjetet me targa të huaja, për të intervistuar udhëtarët, në mënyrë që të kuptohet historiku i lëvizjes së tyre, nëse kanë kaluar apo jo nga vende që janë në zonën e kuqe të shpërndarjes së koronavirusit.

Shefi i shtabit të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku tha mbremjen e sotme se postblloqet do të shtrihen në qytete të tjera të Shqipërisë dhe se do të vijojnë sa kohë të jetë e nevojshme, duke mos dhënë një datë të caktuar.

“Për të sensibilizuar qytetarët dhe për t’i detyruar apo shoqëruar ata për t’u vetëkarantinuar. Udhëtarëve i merren të dhënat dhe ata që kanë udhëtuar dy javët e fundit, duhet  të zbatojnë urdhrin të vetëkartantinohen, në të kundërt do të merren masa. Këto postblloqe do të vijojnë sa kohë të jetë e nevojshme nuk ka një datë të saktë. Shtrihen edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ka një plan të mirë koordinuar me të gjitha strukturat që janë në këmbë për t’i ardhur në ndihmë vendit në këtë situatë të vështirë”,- tha ai.