Lidhur me ngjarjen e djeshme në qendër të Durrësit, ku një vajzë e re ra nga kati i dytë i një objekti që shërbente si hotel, policia informon sot se në fakt në këtë objekt ushtrohej prostitucion dhe ishte marrë me qira nga 23-vjeçare nga Barcelona me iniciale D.L.

(Lexo më shumë: Ndodh në mes të Durrësit… Një person hedh vajzën e re nga hoteli, bie mbi çadrat e lokalit (VIDEO)).

Kështu, policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 5 vajzave nga Venezuela, Spanja dhe Kolumbia, për veprën penale “Prostitucioni”.

Ndërsa ndaj 39-vjeçarit me iniciale I.Z. nga Shijaku, që u konfliktua me 22-vjeçaren dhe si pasojë kjo e fundit ra te çadra e lokalit ngjitur, ka nisur gjithashtu procedimin penal në gjendje të lirë “Dëmtime të tjera me dashje”.

NJOFTIMI I POLICISË DURRËS:

Procedohen penalisht 5 shtetase të huaja që ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira, në lagjen nr. 2, ku dhe përdoreshin lëndë narkotike.

Procedohet penalisht 39-vjeçari, i cili mesditën e djeshme, për motive të dobëta, u konfliktua me njërën nga shtetaset e huaja.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetaset L. O., 27 vjeçe, e lindur në Kolumbi, C. P., 30 vjeçe, e lindur në Venezuelë, Y. P., 47 vjeçe, e lindur në Spanjë dhe D. R., 24 vjeçe, e lindur në Venezuelë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Përshtatja e lokaleve për përdorim droge”, për shtetasen D. L., 23 vjeçe, e lindur në Barcelonë.

Nga verifikimet dyshohet se këto 5 shtetase ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira, në lagjen nr. 2., ambient të cilin e kishin përshtatur gjithashtu për përdorim të lëndëve narkotike.

Në vijim, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, për shtetasin I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak, sepse rreth orës 14:40 të ditës së djeshme, në ambientet e banesës në lagjen nr. 2, u konfliktua me shtetasen D. L..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.