Në kuadër të monitorimit të subjekteve që vijojnë aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje, policia e Durrësit ka proceduar penalisht dhe gjobitur me 3.000.000 lekë pronarin e një subjekti në lagjen nr.14.

Shtetasi E.T., 37-vjeç akuzohet për veprat penale: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moszbatimi i masave të autoritete shtetërore gjatë gjendjes së pandemisë”.

Ndërkohë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet muzikore.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e subjekteve që vijojnë aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

U konstatua duke ushtruar aktivitetin me muzikë, në mënyrë të përsëritur, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, procedohet penalisht dhe ndëshkohet në masën administrative 3.000.000 lekë, pronari i subjektit.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale pajisjet muzikore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, kanë proceduar penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moszbatimi i masave të autoritete shtetërore gjatë gjendjes së pandemisë”, shtetasin E. T., 37 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Durrës, pasi është konstatuar duke vijuar në mënyrë të përsëritur, aktivitetin me muzikë, pas orarit të lejuar.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.