Policia ka arrestuar ditën e sotme tre persona në Tiranë. Ata u arrestuan nga policia, pasi kanë ushtruar dhunë ndaj një shitësi të një biznesi dhe kanë vjedhur 100 000 lekë të reja.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë, si bashkëpuntorë në vjedhjen. Polica po heton më shumë mbi ngjarjen.
Njoftimi i policisë
Tiranë/ Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Reaction”. Zbardhet një rast vjedhjeje me dhunë, ndodhur mëngjesin e djeshëm.
Ushtruan dhunë ndaj shitësit të një biznesi dhe vodhën 100 000 lekë të rinj, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore nga Policia identifikohen 3 autorët e dyshuar. Kapet dhe vihet në pranga njëri prej tyre, punohet për kapjen e 2 të tjerëve. Të tre autorët me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe pronës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 pas njoftimit të marrë se tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin vjedhur me dhunë një shumë parash, në një biznes (tabachino), në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës”, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit M. A., 33 vjeç, i cili gjatë operacionit policor për kapjen e tij, në rrugën “Sabaudin Gabrani”, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. H., 35 vjeç dhe G. L., 34 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë me dhunë 100 000 lekë të rinj shitësit të një biznesi duke e dhunuar fizikisht. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.





