Humbja 3-1 në transfertën ndaj Alavesit solli shkarkimin e trajnerit Paco Lopez. Drejtuesit e klubit të Granada-s, i komunikuan zyrtarisht shkarkimin.

Me vetëm një fitore në 14 ndeshje dhe 7 pikë të grumbulluara, skuadra ku aktivizohet sulmuesi kuqezi Myrto Uzuni, renditet në vendin e parafundit, ndaj drejtuesit vendosën të shkarkojnë trajnerin 56-vjeçar spanjoll.

Menjëherë klubi nuk humbi kohë dhe zgjodhi trajnerin e ri. Ai do të jetë uruguaiani 45-vjeçar Alexander Medina. 

Ky i fundit do të drejtojë për herë të parë një klub në Europë, pasi e ka nisur karrierën në 2017-ën te Nacional në vendlindje.

Më pas ka drejtuar skuadrën e Talleres në Argjentinë, për rreth dy sezone, për të vijuar më pas në Brazil me Internacional dhe për t’u rikthyer sërish në Argjentinë, te Velez Sarsfield, ku punoi deri në shkurt të këtij viti.