Peshkopi, 25 mars 2014 – 30 vite burg ka dhënë në total gjykata e Peshkopisë për dy kunatat që vranë në shkurt të 2013-ës vjehrrën e tyre. Njëra nga nuset nuk pranoi në sallën e gjyqit vrasjen e vjehrrës se saj, por pati te njëjtën fat me kunatën, e cila tha se ndjehej e kërcënuar. Hike Skuka u dënua me 14 vjet bug dhe kunata e saj Xhemile Skuka u dënua me 16 vjet burg, pasi në bashkëpunim vranë vjehrrën e tyre për shkak të konflikteve të vazhdueshme që kishin me të.
Kunatat Xhemile e Hike Skuka, përkatësisht 25 dhe 33 vjeçe, e vranë 67 vjeçaren Naime Skukën në fshatin Hatesh të Peshkopisë më 12 shkurt të vitit të kaluar. Viktimës iu derdh vaj i nxehtë në vesh nga nusja e madhe dhe më pas ajo u gropos në kasollen e lopës me ndihmën e nuses tjetër. Viktima Naime Skuka jetonte vetëm me dy nuset, pasi të dy djemtë ishin emigrantë. Naime Skuka ka qëndruar për tre ditë e groposur në kasollen e bagëtive. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, disa muaj më vonë, djali i të moshuarës, u hakmorr duke vrarë dajën e fëmijëve të tij, vëllain e Hike Skukës, Basri Nikollin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





