Gratë që konsumojnë shumë vaj ulliri në ushqimet e tyre janë më pak të rrezikuara nga kanceri i gjirit. Shkencëtarët kanë zbuluar se dieta mesdhetare në të cilën përdoret shumë vaji i ullirit mbron nga kanceri i gjirit. Studiuesit që i botuan rezultatet e punës së tyre në revistën "Analet e Onkologjisë" janë shprehur se acidi oleik që gjendet në vajin e ullirit mund të ndihmojë në kurimin e kësaj sëmundjeje. Studimet e mëparshme kanë treguar se për gratë që jetojnë në vendet ku përdoret një dietë e pasur në proteina, rreziku nga kanceri i gjirit është pesë herë më i lartë se në ato vende ku kultura e të ushqyerit është për një dietë me më pak kalori. Megjithatë, gratë që ushqehen me vaj ulliri duket se janë të mbrojtura nga ky lloj kanceri. Studiuesit në Spanjë dhe në SHBA gjetën se një prej përbërësve të vajit të ullirit ul me gjysmën e tyre nivelin e substancave që shkaktojnë kancerin e gjirit. Testet laboratorike mbi qelizat kanceroze të gjirit treguan se acidi oleik e bënte më të efektshëm medikamentin që përdoret kundër kancerit dhe rriste prodhimin e proteinave që lufton tumoret. Tani shkencëtarët do të shohin nëse teoria e tyre provohet gjatë eksperimenteve me kaviet.
Efektet e përdorimit
Vaji i ullirit përdoret gjerësisht për vlerat e tij të larta dietike dhe mjekësore. Gjethet dhe lëkura e ullirit përmbajnë taninë, për këtë arsye ato janë të hidhura dhe kanë veti rrudhëse tonike. Por, këto dy pjesë të kësaj peme kanë dhënë rezultate shumë të mira kundër tensionit të lartë, temperaturës së lartë, arteriosklerozës, etj.
Kura që rekomandohet
Në rastet e sëmundjeve me temperaturë të lartë, gjethet dhe lëkura e ullirit kanë veti diuretike si dhe pakësojnë sheqerin në gjak. Për këto raste u rekomandohet të gjithë të prekurve nga temperatura e lartë që të përdorin këtë kurë. Merren 40-50 gjethe ulliri dhe zihen në gjysmë litër ujë derisa të mbetet 3/4 e ujit. Përgatesa ftohet, kullohet dhe më pas hidhet në të një lugë sheqer ose mjaltë. Rekomandohet të pihet nga një filxhan çaji në ditë. Çaji i mësipërm ka dhënë rezultate të mira edhe në uljen e tensionit të lartë të gjakut.
Ulliri është një ilaç popullor që shërben edhe për shërimin e dhembjeve të stomakut dhe kundër të vjellave. Për të qetësuar dhembjet e stomakut merren 100 gjethe ulliri, të cilat zihen në një litër ujë derisa të mbetet gjysmë litri. Më pas kullohet dhe pihet tri herë në ditë nga një filxhan çaji para buke. Kjo kurë duhet të vazhdojë për tri ditë rresht.
Vaji i ullirit
Vaji i ullirit tretet mirë dhe përthithet lehtë nga organizmi. Ai është një qetësues, sepse pakëson dhembjet dhe ndihmon në tretjen e gurëve në tëmth. Por shërimi arrihet duke pirë çdo ditë nga një filxhan me vaj ulliri çdo mëngjes esëll për pesë ditë radhazi. Vaji i ullirit ndihmon edhe për heqjen e gurëve në veshka si dhe lehtëson dhembjet e veshkave. Ai gjithashtu lehtëson lirimin e gypit tretës nga mbeturinat ushqimore si dhe lufton kapsllëkun dhe kolitin. Për këto qëllime, vaji i ullirit duhet të përdoret i freskët dhe jo i djegur. Nëse ai është i djegur e ngacmon stomakun duke shkaktuar djegie në stomak, sepse mbetet i patretur dhe shkakton dhembje koke. Për shërimin e kapsllëkut dhe kolitit, vaji i ullirit përdoret në këtë mënyrë: Merret një lugë gjelle me vaj ulliri, futet në një gotë të mbushur deri në gjysmë me ujë dhe pihet në mëngjes esëll.
Kokrrat e ullirit
Kokrrat e ullirit bëjnë mirë kur i konsumojnë ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit. Është e këshillueshme që diabetikët të hanë sidomos kokrra jeshile, të cilat shuajnë etjen që shkakton diabeti. Kokrrat e gjelbra të ullirit shërojnë diabetin, por të sëmurët me këtë sëmundje duhet të hanë nga pesë kokrra ulliri të gjelbra esëll në mëngjes për pesë ditë rresht.
Vetitë kururese
Ulliri është një bimë mjekësore e mrekullueshme. Çdo pike të vajit të ullirit i marrim mbi 30 përbërës të cilët na mbrojnë nga sëmundjet e zemrës, mplakja e hershme dhe shumë sëmundje e tjera. Vaji i ullirit ndihmon në sëmundjet e mëlçisë dhe në eleminimin e gurëve të fshikëzës së tëmthit dhe gurëve të veshkave. Nga pomadat dhe preparatet e tjera që përgatiten me vajin e ullirit mjekohen plagë të ndryshme, djegie të lëkurës, duke ndihmuar në ripërtëritjen e indeve të dëmtuara. Vaji i ullirit, përbën një formulë shëndeti dhe jetëgjatësie. Në të gjenden acidet omega-3-yndyrore, vitamina A dhe E, metale, selen, si dhe substanca antioksiduese.
Ai përmban acide yndyrore të pangopura, më së tepërmi acid oleinik, i cili përmban 55-83 për qind të acideve yndyrore të përgjithshme, të cilët në mënyrë pozitive veprojnë në metabolizmin e yndyrave në mëlçi, rregullojnë kolesterolin, e mbrojnë zemrën, gjë që pakëson mundësinë e prekjes nga sëmundjet e ngurtësimit të enëve të gjakut, infarkt, tromboza dhe rregullojnë tensionin e gjakut.
Bima dhe lëvozhga e ullirit përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut, temperaturat e larta etj.
Nëse vaji i ullirit përdoret si melhem për lyerje, forcon flokët dhe ndalon të thinjurit. Pirja e vajit të ullirit është i dobishëm kundër helmimit. Ky vaj lehtëson dhimbjet në lukth dhe zorrë dhe mbyt parazitët në zorrë.
Ullinjtë e gjelbër kanë vlera të shumta ushqyese e gjithashtu forcojnë barkun dhe stimulojnë potencën seksuale. Ullinjtë e hidhur janë të mirë për trajtimin e djegieve. Të përtypurit e gjetheve të ullirit ndihmon në rastet e inflamacionit të mukozës së gojës, herpesit, dermatitit buloz dhe kromës. Çaji i përgatitur me gjethet e ullirit ul sasinë e sheqerit në gjak. Për këtë vaji i ullirit nuk duhet t’i mungojë dietës suaj ditore