Teuta kërkon kthesën përballë Skënderbeut. Rrugë tjetër veç fitores nuk kanë, pasi humbja e fundit në Gjirokastër ka komplikuar ndjeshëm pozitat. Stafi teknik shpreson që të ketë një grup më të plotë këtë fundjavë dhe shanset janë të mëdha që i gatshëm të jetë edhe Armando Vajushi.

Sulmuesi nuk ka debutuar ende, edhe pse erdhi me bujë të madhe në merkaton e dimrit. Një dëmtim në gju e ka lënë jashtë këto javë, megjithatë me shumë mundësi mund të marrë minuta kundër korçarëve. Gjithsesi, vendimi do të merret në ditët e ardhshme. Transferta me Luftëtarin rezultoi sërish e hidhur për Teutën.

Për të dytën herë në këtë sezon dolën pa pikë nga stadiumi “Gjirokastra”. Një humbje që zbeh shpresat për kreun, pasi tashmë diferenca me Partizanin shkon në 10 pikë. Durrsakët kishin një ecuri të jashtëzakonshme. Nga humbja e fundit me Partizanin në muajin tetor, prej 15 javësh ishte e pandalshme.Zanafilla e kësaj ecurie ishte pikërisht kur Teuta vinte pas një periudhe të errët rezultatesh dhe ndalet sërish në Gjirokastër.

Bregdetarët pësojnë humbjen e katërt në sezon, duke barazuar kryesuesit e kampionatit në tabelën e humbjeve. Një ngadalësim në ritmin e ekipit të Bledi Shkëmbit janë dhe barazimet e pafundme. Kanë sigluar 9 të tilla, që përkthehen 18 pikë të lëna rrugës. Fitorja përballë Kukësit me përmbysje solli një lloj entuziazmi dhe qetësie në kampin blu, por duket se është thyer shumë shpejt nga humbja minimale në transfertën e së shtunës.

 Jo vetëm mungesa e fitoreve apo rezultateve është në krizë në këtë pikë të sezonit, por Teutës i mungon goli dhe një goleador i mirëfilltë. Të mendosh që në skuadër janë Bushiç, Latif apo dhe Progni, por sërish goli mungon dhe tani skuadra ka humbur dhe statusin e ekipit që ka shënuar më shumë.

Pesë gola në 6 javë për vetëm 5 pikë janë shumë pak për një skuadër që lufton për objektiva madhorë, si titulli apo Kupat e Europës.Një skuadër që jo vetëm nuk shënon, por edhe pëson rregullisht. Në çdo takim ka pësuar të paktën një gol, përjashto këtu barazimin pa gola me Kamzën.

Ardhja e Bushiç, shihej me një sy ndryshe, por edhe kroati duket se nuk është në gjendjen e tij më të mirë. Durrsakët tashmë duhet të ndryshojnë tërësisht “kursin”, jo vetëm të rezultateve, por edhe numrit të golave.