SHIJAK, 1 prill 2013 – Vajza dhunon babain e saj të moshuar, çështja kalon në gjykatë. Ndërsa njoftimet e policisë janë gjithnjë të mbushura me kërkesë padi të dorëzuara në gjykatë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për femrat e dhunuara, nuk mungojnë edhe rastet kur viktima të dhunës në familje mbeten burrat.

Një ditë më parë, një 64 vjeçar nga fshati Sallmone i Shijakut ka paditur në polici vajzën e tij 25 vjeçare. Para efektivëve të rendit, i moshuari ka rrëfyer se dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht nga vajza e tij, shtetasja me iniciale Xh.S.

Mësohet se dhuna sistematike që ushtrohej ndaj tij e ka detyruar të moshuarin të mos durojë më, por të denoncojë rastin në fjalë, megjithëse bëhej fjalë për një person shumë të afërt për të.

Pas marrjes së denoncimit nga ana e 64 vjeçarit, efektivët e rendit kanë plotësuar menjëherë Kërkesë – Padinë për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes dhe më pas e kanë dorëzuar në gjykatë.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/