Vajza e Azem Hajdarit deklaron se nuk do t’i thoshte jo një propozimi për të qenë deputete e PD-së në Tropojë.
Në daljen e parë televizive e ftuar ekskluzive në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Rudina Hajdari tha: “Tropoja është vendlindja ime dhe nëse më propozohet për të qenë deputete atje do ishte nder për mua”.
Pas 19 vjetësh, Rudina Hajdari ka lënë SHBA-në ditët e fundit për të jetuar në Shqipëri dhe për të nisur një karrierë në politikë.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha e prezantoi pak ditë më parë zonjën Hajdari si kordinatore për Marrëdhëniet me Jashtë në PD.
Ajo është vajza e vetme e Azem Hajdarit, kryetarit të parë të PD-së që në themelim, i cili u vra më 12 shtator 1998 në Tiranë.
Rudina Hajdari ishte 11 vjeçe kur i vranë të atin dhe 3 vite më pas ajo shkoi në SHBA për të vijuar shkollën e mesme dhe më pas universitetin.
Gjatë emisionit, Rudina Hajdari tha se kërkon ta vazhdojë kauzën e të atit, aty ku e la ai nëpërmjet angazhimit total në politikë.
“Natyrisht Shqipëria ka ndryshuar shumë këto vite dhe babai im bëri politikë në një kohë tjetër, por ideali i tim eti më bën mua të kem modelin për të bërë politikë për një Shqipëri më të mirë”, tha Rudina Hajdari.
/Oranews/





