TIRANE – Një vajzë 14-vjeçare, banore e komunitetit rom, ka denoncuar në Policinë e Tiranës njerkun e saj, i cili e ka përdhunuar për një periudhë 6-mujore.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në banesën e improvizuar të familjes, pranë repartit ushtarak 3700, në zonën e Tufinës, ku vajza e dëmtuar, Xhemile Ll., banon me nënën dhe njerkun që ka denoncuar, Artur Avdia, 42 vjeç.
Sipas burimeve nga Policia, e mitura është paraqitur në Komisariatin Nr.4, bashkë me nënën dhe në prezencë të psikologes dhe një interpreteje gjuhe, për shkak se vajza është shurdhmemece, nuk flet dhe nuk dëgjon, ka treguar veprimet që njerku i saj ka ushtruar dhunë, duke kryer marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj, në mënyrë sistematike prej 6 muajsh.
Vajza ka treguar se ai e përdhunonte në çdo moment kur ndodheshin vetëm në banesë dhe e kërcënonte që të mos i tregonte askujt. Por për shkak të keqtrajtimeve të vazhdueshme që ai kryente ndaj saj, e mitura fillimisht ka biseduar me nënën dhe një punonjëse sociale, më pas kanë vendosur që t’i drejtohen Policisë. Nga ekspertimi mjekoligjor është provuar përdhunimi dhe Policia ka shpallur në kërkim njerkun e të miturës, Artur Avdia.





