• Vajza e Sabri Godos ndjehet e zhgënjyer nga polikanët e Kosovës dhe shqiptarët e Maqedonisë që nuk kanë treguar respekt, mirënjohje dhe kujtim në nderim për të atin e saj. 

2 dhjetor 2014 –  Anila Godo tha gjatë emisionit “DEBATI NË CHANNEL ONE” të gazetarit Roland Qafoku se as ditën e varrimit 3 vjet më parë, as në 1 vjetorin e vdekjes e as më pas nuk ka patur qoftë edhe një fjalë apo prezencë të asnjë politikani nga Kosova apo nga shqiptarët e Maqedonisë.

“Dihet kontributi dhe bashkëpunimi i babait tim për Kosovën dhë çështjen shqiptare në përgjithësi. Por unë ndjehem tejet e prekur dhe e zhgënjyer se si asnjë politikan prej këtyre trevave nuk mori mundimin të vinte në varrimin e babait në Tiranë”, tha Anila Godo.

Godo vijoi më tej duke thënë madje se edhe pse kanë kaluar tre vjet nga 2 dhjetori 2011, kur Sabri Godo u nda nga jeta, heshtja e politikanëve të Kosovës vazhdon edhe duke e shtuar zhgënjimin ndaj tyre.

“Vetëm gjysmë ore është larg Prishtina nga Tirana me avion”, përfundoi Anila Godo në emisionin që këtë puntatë ishte një homazh për figurën e Sabri Godos.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/