SHBA, 6 korrik 2014 – Një vajzë e vogël ka shkuar në rajonin e policisë dhe ka paditur prindërit e saj të cilët mbillnin plantacione droge.

11 vjeçarja ka hyrë në rajonin e policisë në Barnesvillle në Minesota dhe u ka thënë policëve se prindërit e saj po mbillnin marijuanë në vazo të mëdha dhe ajo ishte rritur gati sa trupi i saj në një vend të fshehtë prapa shtëpisë së saj.

Ajo ka thënë gjithashtu se ka kërkuar ndihmë sepse era e bimës narkotike po e sëmurte, dhe ishte e shqetësuar për shëndetin e qenit të saj nëse prindërit do i fusnin drogë në gojë.

“Ajo ishte një vajzë guximtare, e zgjuar dhe e artikuluar. Ishte njësoj si të intervistoje një të rritur”- tha një oficer për Minnesota Star Tribune.

Vajza kishte thënë se prindërit e pinin marijuanën në sytë e saj, dhe ata ia shisnin edhe njerëzve të tjerë kur vinin ta blinin.

Pas disa kërkimeve në shtëpinë e prindërve të vajzës ata gjetën drogën dhe ata e pranuan se e konsumojnë si kurim të sëmundjes që kishin, ku gruaja vuante nga skleroza.

Megjithese vajza jeton prapë me prindërit, ajo është marrë në mbrojtje të punonjësve sociale. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/