Vasilika Vjero është dorëhequr nga detyra e drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pa u mbushur dy javë në këtë detyrë, ku zëvendësoi ish-drejtoreshën Sonila Qato, Vjero ka dhënë dorëheqjen.
Vjero ka konfirmuar për Top Channel, se është larguar nga detyra për shkak të problemeve shëndetësore të vajzës së saj. Ajo konfirmon se aktualisht ndodhet jashtë vendit.
“Po është e vërtetë dhe lidhet me shendetin e vajzës sime dhe pamundësia ime pasi vajza është mbi çdo gjë”, është shprehur Vjero për Top Channel.
Drejtoresha Vjero u largua sot nga drejtimi i ARRSH në një kohë që ky institucion ndodhet në qendër të sulmeve, pas skandalit në “Unazën e Re”, anulimit të lotit të shtatë të “Kardhiq-Delvinë” dhe përplasjeve me kompaninë “Gjoka” për “Rrugën e Arbrit”. Dy javë më parë, Sonila Qato ishte drejtoresha, e cila dha dorëheqjen pas akuza nga Gjoka Konstruksion.





