Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka reaguar pas incidentit të sotëm të ndodhur në gjimnazin “Janaq Kilica”, në Fier.
Me një shënim në Facebook, Shahini shkruan se ngjarja është e manipuluar dhe se në shkollë ka ndërhyrje politike, që, sipas saj, po hetohen.
Reagimi i plotë:
Sapo u dakordësuam me Kryetarin e Bashkisë Fier për të ndërhyrë edhe në godinën e vjetër të shkollës së mesme “Janaq Kilica”, që ta sjellim në gjendjen e godinës së re, pra në gjendjen të cilën meriton shkolla qendrore e Fierit.
Nuk do të lejojmë që ngjarje të manipuluara politikisht për të shkaktuar kaos të dëmtojnë punën e mirë që bëhet në atë shkollë prej shumë e shumë vitesh. Kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe prezencën e psikologut në shkollë, në mënyrë që të mbështesim drejtoren e cila po bën një punë të mirë në organizimin e shkollës.
Ankesat për ndërhyrje politike në shkollë po i hulumtojmë me kujdes dhe do të marrim masa që të sigurohemi se tensionet politike të stisura nga opozita jashtë-parlamentare mos të ndikojnë punën e rëndësishme shkollore.





