Deri disa muaj më parë Isadora bënte një jetë të qetë, ashtu si çdo bashkëmoshatar i saj 13 vjeçar. Dëgjonte muzikën e Guns N’Roses dhe shëtiste në plazh qenin e saj të dashur Ziggy, të cilit i ka vënë emrin e djalit të Bob Marleyt.
Gjithçka ndryshoi kur vajza braziliane krijoi blogun e saj në internet, ide që e mori nga një nxënës shkolle në Skoci.
Diário de Classe, i vuri emrin faqes së saj dhe në të mblodhi dhe tregon historitë e nxënësve të shkollës së saj. Isadora banon në qytetin Santa Caterina, në jug të Brazilit.
Nga ideatore e një faqeje në rrjetin social Facebook, Isadora u kthye në një të ftuar të përhershme në Talk Show të ndryshme në vendin e saj. Drejtuesit e shkollave i tremben, ndërsa nxënësit e konsiderojnë një heroinë, pasi Isadora nxjerr në pah gjendjen mjerane të sistemit arsimor në Brazil. Historinë e saj kanë nisur ta tregojnë shumë media vizive dhe të shkruara përtej oqeanit.
Si nisi lufta e Isadorës
Lufta dixhitale e Isadorës filloi pak nga pak. Vetëm me kamerën e aparatit të saj celular ajo vërtitej në korridoret dhe klasat e shkollës së saj duke regjistruar gjithçka; bankat e dëmtuara, banjot pa dyer, lidhjet elektrike jashtë kushteve teknike etj.
Një nga postimet e saj që ka marrë më tepër pëlqime është ai për një piktor, i cili është paguar dy vjet më parë për të sistemuar palestrën e shkollës, por që nuk e ka nisur ende punën e tij. Në vetëm shtatë muaj faqja e Isadorës arriti të mblidhte më shumë se gjysëm milion klikime. Nën shembullin e saj shumë faqe të tjera janë hapur, që kanë për qëllim të denoncojnë mangësitë e shkollave publike në Amerikën Latine.
Kërcënimet
Vërtet po bën një punë për t’u lavdëruar, por ama jo të gjithë e duan. Ende sot e kësaj dite vajza vazhdon të marrë kërcënime nga shokë shkolle që mbështesin drejtuesit e institucionit. Ndërkohë gjyshja e saj u sulmua nga një grup djemsh të rinj që goditën më gurë shtëpinë e saj. “Prindërit e mi më shoqërojnë gjithnjë për në shkollë”,- thotë Isadora.
Kurajoja
Pavarësisht vështirësive të hasura asgjë nuk e ka shkurajuar 13 vjeçaren të vazhdojë të bëjë atë që i pëlqen. Edhe kur ndihmësi i saj në faqen e internetit hoqi dorë për shkak të frikës, ajo nuk i ndaloi denoncimet e saj. “E di që po bëj gjënë e duhur”,- thotë ajo, ndërsa e kupton shumë mirë se problematikat e konstatuara në shkollën e saj shkojnë përtej institucionit ku ajo studion.
Në një klasifikim që ka bërë një institut ndërkombëtar për situatën e sistemit arsimor në 40 vende të botës, Brazili renditet i parafundit, para Indonezisë.
Për këtë arsye Isadora nuk pushon së luftuari dhe tashmë falë faqes së saj bëhet gjithnjë e më e vështirë të kthesh kokën nga ana tjetër e të hiqesh sikur nuk ke vënë re asgjë.