ANGLI, 24 shkurt 2013 – Rasti i Naomi Oni, vajzës që u dogj me acid në fund të vitit të kaluar, tronditi opinionin publik në Britaninë e madhe. Vajza e re ishte duke u kthyer në shtëpi nga puna, kur iu hodh acid në fytyrë, trup dhe gjymtyrë nga një grua me ferexhe. Por ndërsa ende nuk është identifikuar autorja e këtij krimi policia është duke hetuar edhe në një pistë tjetër.

Sipas policisë angleze, të cilës i referohet Daily Mail, në kompjuterin e Onit është zbuluar se vajza ka bërë para aksidentit disa kërkime në internet në uebsajte që flisnin lidhur me sulmet me acid. Kështu hetuesit janë duke parë edhe mundësinë që vajza e re ta ketë djegur vetë veten me acid.

Por të afërmit e saj e kanë hedhur poshtë një supozim të tillë. I dashuri i vajzës ka deklaruar se ajo nuk do ta bënte kurrë një veprim të tillë dhe i ka bërë apel policisë që të hetojë për të zbuluar identitetin e saj që kreu krimin.

Një mike e familjes, Sheila Maclean, tha se policia nuk duhet të supozojë se vajza ka djegur veten me acid, meqë ka parë në kompjuter një dokumentar mbi Katie Piper, një ish modele dhe prezatuese e televizionit amerikan, që u sulmua me acid vite më parë.  

Naomi Oni rrezikoi të humbte shikimin nga sulmi me acid, ndërkohë që ka dëmtime të shumta në fytyrë, trup dhe gjymtyrë, pavarësisht se i është nënshtruar disa operacioneve.

Kohët e fundit një kompani e madhe kozmetike, Cap Lesesne është ofruar t’ia bëjë falas operacionet për të cilat Naomi Oni ka nevojë.