ANGLI– Prindërit e një vajze të vogël, që vitin e kaluar e humbi betejën e saj me kancerin do të jenë të detyruar të paguajnë më shumë se 650 paund në vit për ta mbajtur të paprekur dhomën e saj.

Hiri i vogëlushes 7 vjeçare është vendosur në dhomën e saj, e cila është lënë ekzaktësisht ashtu siç ishte kur Becky Bell u nda nga jeta.  

Prindërve të Becky-t, Julie dhe Mark, u është thënë se ata kanë një dhomë të tepërt në shtëpinë e tyre dhe për ta mbajtur atë do të duhet të paguajnë 56 paund në muaj duke nisur nga prilli.

41 vjeçari Mark Bell, babai i vajzës së vogël u shpreh i habitur nga kjo gjë dhe nga fakti që dhomën e vogëlushes së tij autoritetet e konsiderojnë dhomë “rezervë”.

Sipas ndryshimeve ligjore që janë bërë kohët e fundit në Angli, personat që banojnë në shtëpi sociale dhe kanë në përdorim më shumë dhoma sesa u nevojiten, duhet të paguajnë një taksë të veçantë për dhomën e “tepërt”.