Kampionet Olimpike të Kosovës në “Tokio 2020” i pritën si heroina në vendlindje nga një numër i madh qytetarësh, që nuk ngurruan të mbushnin sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Vetë kryeministri Albin Kurti dhe pjesëtarë të tjerë të qeverisë u rezervuan një pritje të ngrohtë sportisteve që bënë të valëvitej flamuri i Kosovës në eventin e madh sportiv që po zhvillohet në kryeqytetin e Japonisë.
Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike të Tokios, duke bërë krenar të gjithë popullin shqiptar.“Në Olimpiadën e parë, Majlinda (Kelmendi) i solli Kosovës medaljen e parë të artë në Rio, derisa në Lojërat e Tokios, Distria dhe Nora i sollën vendit dy. Medaljet e arta, aq sa kërkojnë talent, kërkojnë edhe mund”, – u shpreh Kurti. – “Tri medalje të arta, nga tri gra, kjo fjali me shtatë fjalë, faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve dhe secilit që ka ndihmuar. Tani, le të fillojnë përgatitjet për në Paris dhe të fitojmë edhe më shumë medalje”.
Driton Kuka, trajneri i vajzave të arta të Kosovës, e pranoi se edhe për të ka qenë e papritur arritja e tyre në “Tokio 2020”.“E kam pritur një pritje dinjitoze, por që do të ishte e tillë, jo. Është kënaqësi që pas asaj që ndodhi në Rio, një medalje e artë, që ka hap shumë dimensione. Ajo që i ka hap dyert e Kosovës, është Majlinda, ëndrrën për medalje e kanë vazhduar Distria dhe Nora, që kanë qenë kandidate për medalje, por dy të arta, kanë kaluar pritjet e mia”.Qytetarëve mes shumë emocionesh u është drejtuar edhe Distria Krasniqi.
“Sukseset e Majlindës më kanë lënë të kuptoj se me punë mund të arrijmë gjithçka. I inkurajoj të rinjtë që të punojnë shumë për ëndrrat e tyre. Faleminderit që na keni mbështetur gjatë gjithë kohës”.I ndjerë edhe mesazhi i Nora Gjakovës, nëpërmjet një postimi në Twitter:“Me punë e përkushtim, gjithçka është e mundur. Unë kam punuar shumë dhe sukseset më kanë ardhur atëherë kur shumë pak kanë besuar. Po më duket si ëndërr, por ja ku jam, sonte, në vendlindjen time, me popullin shqiptar e me medaljen e Artë Olimpike. Ta gëzojmë së bashku! Kjo është për JU!”