Kryeministri Edi Rama, në një takim të zhvilluar këtë të premte me sipërmarrjen, foli edhe për gjendjen ku ndodhen fasonët, ku mungojnë burimet njerëzore.
Rama deklaroi se kjo situatë me fasonët sot është për shkak se nuk kanë menduar për këtë ditë, por kanë menduar vetëm se si të shfrytëzojnë punonjësit.
Kreu i qeverisë theksoi se profesionistët në këto sektorë kur dalin në pension nuk mund të zëvendësohen me vajzat e tik-tok-ut, ndërsa tha se mund të marrim punonjës të huaj, por nuk mbahet shtëpia me miell hua.
Më tej, kryeministri bëri thirrje që të ndryshohet i gjithë sistemi i punësimit. Për sipërmarrësit tha se “janë në gojë të ujkut” nëse nuk rrisin pagat për punonjësit.
“Ta mbajmë punonjësin shqiptar si sytë e ballit, ta mbajmë me çdo çmim. Të rrofshin miliardat nëse të ikin punëtorët. Nëse sot ka një situatë dramatike industria e fasonëve është se nuk kanë menduar për këtë ditë. Ato gratë që i kanë marrë që në vitet ’90 dhe i kanë marrë shpirtin me tre turne se na i kërkon Armani dhe Versaçja, sot i ka ardhur mosha e pensionit dhe nuk kanë me kë i zëvendësojnë. Me vajzat e TikTok-ut? Do të vijnë vajzat që lozin në TikTok në Kamëz e Paskuqan e do të rrinë aty për 40 mijë lekë? Dhe ju diskutoni që nuk e paguajmë dot atë 40 mijë lekësh. I gjithë sistemi duhet ndryshuar, duhet kaluar në një cikël të mbyllur, në “Made in Albania”. “Ujku” ka nisur t’ju hajë. Ne sigurisht që do të marrim edhe punonjës të huaj, por nuk mbahet shtëpia me miell hua. Nuk jemi ne në kushtet e Gjermanisë. Nuk them të vini këtu rrogat e Gjermanisë, por ama nëse ka paga që kompensojnë bilancin e shpenzimeve dhe bëjnë që në fund të muajit t’i dalë llogaria punëtorit, këtu do i keni. Nuk kanë se çfarë bëjnë në vend të huaj”, tha