6 gusht 2015 – Kanë kaluar tri javë që kur ndodhi hataja në familjen Kajtazi në Durrës. Me shtëpi të djegur dhe pa para, kryefamiljari Hiqmet Kajtazi mbi të gjitha nuk di asgjë mbi fatin e dy vajzave të tij, dhe apelon strukturat policore dhe ato të Prokurorisë ta marrin më seriozisht këtë çështje.
Në një intervistë për mediat, Kajtazi tregon se megjithëse kanë kaluar 3 javë nga zhdukja e vajzave të tij, asnjë punonjës policie nuk i ka shkuar në shtëpi për ta takuar. Madje ai shprehet i zhgënjuer dhe i revoltuar për një përgjigje interesante të dhënë nga efektivët e Durrësit: ‘Prit, se do të kthehen vetë kur t’u mbarohen lekët’.
Dy vajzat e tij të zhdukura, Orialda 18 vjeçe dhe motra e saj 14 vjeçe, sipas të atit nuk ishin fëmijë problematikë dhe e ka të vështirë ta besojë të gjithë këtë skenë krimi të krijuar nga to. Megjithatë, Hiqmet Kajtazi nuk përjashton dhe faktin se ato të jenë mashtruar përmes rrjeteve sociale.
Intervista e Hiqmet Kajtazit, babait të dy vajzave të zhdukura
Unë kam qenë në Tiranë, nuk kam qenë në shtëpi. Kemi qenë të helmuar. Unë,vajza e madhe dhe gruaja kemi qenë në Tiranë të tre. Ngjarja ka ndodhur natën, në mëngjes na kanë marrë nga spitali dhe na kanë sjellë, kaq. Kemi gjetur mangut fëmijët, kanë marrë lekët, bizhuteritë, marrrë gjithçka.
Kush ju lajmëroi ju në spital?
Policia. Na kanë marrë dhe sjellë këtu. Unë kam qenë i pavetëdijshëm, kam qenë i sëmurë.
Keni marrë ndonjë sinjal gjatë këtyre tre javëve?
Jo, përveç një numri të panjohur, asgjë tjetër. Dje na ra, e hapi nusja dhe nuk foli.
Cilat janë dyshimet tuaja?
Asnjë dyshim. Me njeri nuk kam asnjë problem. Nga shpia kanë marrë lekët, eurot që kisha për rrugë, rrobat të gjitha, bizhuteritë, kanë dalë katër valixhe nga shtëpia me rrobat e tyre. Kanë pasur shumë rroba.
Keni ndonjë apel?
Shteti të na ndihmojë, po rrinë si të heshtur, a nuk dinë,a nuk duan? Për mua është njëlloj. Përveç inspektorit të krimeve Kalemi që është treguar njeri, ndërsa për të tjerët… Një prokuror që nuk pranon të më takojë, një Drejtor policie që s’do të më takojë 3 javë. Nuk ka ardhur asnjeri tek shtëpia, përveç ditës së parë. As nuk dimë se kush i ka marrë, për çfarë i ka marrë, si kanë ikur. Ndoshta kanë ikur vetë. Fëmijët e mi kanë qenë shtëpiakë, nuk kanë dalë njëherë të vetmen për një kafe. Nuk kanë dalë asnjëherë vetëm, ose kanë dalë me mua ose me të ëmën. Ndaj më vjen inat se më kanë thënë dhe në polici që kur tu mbarohen lekët do të vinë. Fëmijët e mi nuk janë fëmijë që dalin me pi kafe. I ka gënjyer dikush ndoshta nëpër rrjetet sociale, nuk është aq e zorshme për të gënjyer dy fëmijë.
Policia çfarë u ka thënë për ngjarjen?
Nuk japin asëj informacion, veçse ky Armir Kalemi, asnjeri tjetër nuk më ka ardhur dhe nuk më ka pyetur.
Mund të kenë kaluar kufirin?
Nuk e di.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





