Fantastike, vajzat shqiptare mundin Greqinë 2-1 dhe sigurojnë biletën e fazës eliminatore të Kupës së Botës. Në ndeshjen më të rëndësishme të Grupit 2, Kombëtarja e femrave dominoi Greqinë në lojë. Ishte Furtuna Velaj ajo që bëri pothuajse gjithçka në “Elbasan Arena” ku mijëra të pranishëm mbështetën skuadrën e Armir Grimës në një 90 minutësh emocionues.

Vajzat kuqezi zhvilluan një ndeshje spektakolare me disa raste të pastra për të kaluar në avantazh, por e gjetën buzëqeshjen vetëm në minutën e fundit. Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm duke rrezikuar që në minutën e 4-t me Megi Doçin, ndërsa 3 minuta më pas Furtuna Velaj pasi shmangu në dy raste një lojtare kundërshtare, nga një pozicion i prirët goditi portën, por topi u ndal nga portierja Peletidou.

Doçi sërish protagoniste në të 16-ën. Mesfushorja e Vllaznisë ngriti në qiell stadiumin “Elbasan Arena” me një gol shprese. Festa e vajzave shqiptare nuk zgjati shumë pasi përgjigjia e mikeve nga Greqia ishte e shpejtë. Sofia Nati barazoi rezultatin në aksionin e parë pas golit. Gabim i Bajraktarit që i dhuroi topin sulmueses kundërshtare.15 minuta në dhomat e zhveshjes dhe vajzat shqiptare dolën më të karikuara duke vendosur diktatin në fushën e lojës. Velaj kishte mundësinë e artë për të kaluar në avantash Shqipërinë, por sulmuesja finalizoi në mënyrën më të dobët të mundshme. Nuk e zhbllokoi ndeshjen as finalizimi i Hashanit, ndërsa në minutën e fundit, Velaj bëri gjithçka mirë duke e stampuar topin në rrjetë.Një fitore mëse e merituar për Kombëtaren Shqiptare të Femrave që tregon rritjen e pabesueshme të futbollit shqiptar në lojën e femrave. Kjo Shqipëri ka shpirt, tashmë vajzat kuqezi do të trokasin në portën e madhe të Botërorit.