Hulumtim ekskluziv nga kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra!
Kosova ka qenë një nga vendet më proamerikane të Evropës qëkur Shtetet e Bashkuara ndihmuan në çlirimin nga regjimi serb. Megjithatë, në një ndryshim gjeneracional në këtë vend me shumicë laike, radikalizmi islamik po gjen shtrirje mes të rinjve. Dhe nuk janë vetëm djem ata që i janë bashkuar ISIS-it. Janë mbi 40 gra nga Kosova, të lindura kryesisht gjatë viteve ‘90, që i janë bashkuar kësaj organizate terroriste.
Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan dhe Tërpezë, Laura Hyseni ishte një adoleshente tipike e Kosovës, dilte me shoqet nëpër kafene dhe bare dhe nuk i shkaktonte shumë telashe prindërve të saj me mendje të hapur.
“Ajo mund të merrte një taksi dhe të shkonte nëpër takime nëpër kafene me miqtë e saj në qytet. Vishej njësoj si moshataret e saj, në disa raste me minifunde apo me xhinse. Ajo qe shumë moderne”, thotë Faik Uksmajli, djali i të cilit, Arbnori, u martua me të. Lotët i rrjedhin në faqe ndërsa ai kujton, i ulur në një karrige druri në ballkonin e tij në Nerodime të Epërme, një fshat i vogël në rrafshnaltën bujqësore që rrethon qytetin e tretë më të madh në Kosovë, Ferizaj. Jo shumë larg prej këtu gjendet baza kryesore e Ushtrisë Amerikane në Kosovë, Kampi “Bondstill”.
Uksmajli tregon se Arbnori dhe vëllai i tij më i vogël, Alberti, ishin të shoqërueshëm dhe të hapur njësoj si Laura, por pastaj atyre të treve diçka e tmerrshme u ndodhi vitin e kaluar. “Brenda vetëm pak muajsh, hoxha i fshatit dhe bashkëshortja e tij ua shpëlanë trurin”, thotë ai.
Ata u bënë myslimanë striktë dhe u shkëputën nga miqtë dhe rrethi i tyre. Arbnori lëshoi mjekrën, veshi pantallona treçerekëshe, dhe fliste vazhdimisht për Shamin, emri fetar për tokën e Sirisë…
Qamile Tahiri, me dy fëmijët e saj në Siri. Burri është vrarë, por vazhdon të rekrutoj nga Siria përmes Internetit gra e vajza nga Kosova!